Pas projekteve për monitorimin e territorit me satelitë dhe fotografimin ajror të Shqipërisë, një tjetër nismë teknologjike është hedhur në procedurë nga institucionet shtetërore. Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura (AKZM) ka hapur një tender për realizimin e pyllëzimeve në shkallë të gjerë përmes mbjelljes precize me dronë.
Sipas dokumenteve të tenderit, projekti synon përdorimin e teknologjisë së dronëve për shpërndarjen e farërave dhe fidanëve në zona të caktuara, me qëllim rigjenerimin e sipërfaqeve pyjore dhe të degraduara.
Vlera e fondit të parashikuar për këtë nismë arrin në rreth 500 milionë lekë të vjetra. Projekti vjen pas investimeve të mëparshme të qeverisë në monitorimin e territorit përmes satelitëve dhe fotografimit ajror, iniciativa që kanë kushtuar disa milionë euro.
Ndërkohë, mbetet për t’u parë se sa efektiv do të rezultojë përdorimi i dronëve në procesin e pyllëzimit dhe nëse kjo teknologji do të japë rezultate konkrete në rikuperimin e zonave të dëmtuara pyjore.
Ekspertët e mjedisit theksojnë se sfida kryesore nuk mbetet vetëm mbjellja e fidanëve, por edhe mirëmbajtja dhe mbrojtja e tyre në vitet pasuese, për të garantuar krijimin e sipërfaqeve të reja pyjore.
Tenderi pritet të ndiqet me interes, pasi përfaqëson një nga përpjekjet e para për përdorimin në shkallë më të gjerë të teknologjisë së dronëve në pyllëzimin e territorit shqiptar.



