Kontrollet e Byrosë Kombëtare të Hetimit në vilën dhe zyrat e biznesmenit Samir Mane kanë hapur një kapitull të ri në një nga dosjet më të mëdha të SPAK për trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e parave.
Me vendim të GJKKO-së, hetuesit kanë ushtruar kontrolle në ambientet e biznesmenit dhe kanë sekuestruar edhe telefonin e tij celular, i cili pritet të ekspertohet për komunikime, kontakte apo materiale që mund të kenë lidhje me çështjen nën hetim.
Ky zhvillim ka ngritur menjëherë një pyetje: A do t’i shpëtojë Mane edhe kësaj dosjeje, siç ndodhi më herët me çështjen e njohur si dosja “Meta”?
Në atë rast, emri i Manes iu gjeten mesazhe me Monika Kryemadhin duke folur për një vilë dhe më pas një apartament në Tirabl, por çështja nuk u ndoq më tej për shkak të parashkrimit.
Ngjarja e dyshuar kishte ndodhur shumë vite më parë dhe, në momentin kur SPAK e trajtoi, afatet ligjore për ndjekje penale kishin kaluar.
Këtë herë, megjithatë, situata duket më e freskët në kohë dhe lidhet me një hetim të gjerë që ka në qendër grupe të dyshuara kriminale për trafik droge, investime në ndërtim dhe tentativa për pastrim parash përmes projekteve turistike e rezidenciale.
Në dosjen e SPAK përmenden grupet e lidhura me Artur Shehun, Artur Koçekun, i njohur edhe si Luçiano Koçeku, dhe Alfredo Hamzain.
Sipas hetimeve, të ardhurat e siguruara nga trafiku ndërkombëtar i kokainës dyshohet se janë futur në ekonominë formale përmes sektorit të ndërtimit pikërisht në Green Coast.
Pjesë e materialeve hetimore janë edhe Ilir Shtufi dhe të tjerë, të cilët përmenden si persona përmes të cilëve dyshohet se janë kanalizuar para me burim kriminal në projekte ndërtimi.
Një nga pikat më të ndjeshme të dosjes lidhet me projektin “Green Coast” në Palasë, resort luksoz i lidhur me grupin BALFIN të Samir Manes.
Në përgjimet e zbardhura përmenden biseda ku personat nën hetim diskutojnë për përfshirjen e një prone në këtë kompleks dhe për pagesa miliona euro cash ndaj Samir Manes.
Sipas dokumenteve hetimore të cituara në media, në shkurt të vitit 2021 Alfredo Hamzai dhe Artur Koçeku kanë folur për mundësinë e dhënies së 2 deri në 3 milionë eurove, me qëllim që toka e Hamzait të përfshihej në projekt dhe të sigurohej leja e ndërtimit.
Në biseda përmendet Ilir Shtufi si ndërmjetës, ndërsa Samir Mane referohet me emrin “Zamiri”.
Në një komunikim të datës 24 shkurt 2021, Koçeku njofton Hamzain se “Liri ka folur me Zamirin” dhe se kërkesa ishte 3 milionë euro për futjen e tokës në kompleks.
Tre ditë më pas, më 27 shkurt, sipas përgjimeve, pala nën hetim pranon kushtet dhe zgjedh opsionin e pagesës prej 3 milionë eurosh.
Në të njëjtat biseda flitet edhe për një shumë prej 1 milion eurosh cash, që sipas interpretimit të hetuesve dyshohet se lidhej me marrëveshjen e pretenduar.
Marrëveshja e diskutuar në përgjime nuk kufizohej vetëm te pagesa.
Sipas materialeve të dosjes, projekti do të zgjerohej nga rreth 30 vila në 40 vila, ndërsa 20% e tyre do t’i kalonin Alfred Hamzait.
Po ashtu, në biseda përmendet edhe një hotel me 120 dhoma, që do të mbetej në pronësi të Koçekut dhe Hamzait.
Pikërisht këto elemente e bëjnë kontrollin ndaj Manes një lëvizje të rëndësishme hetimore. Sekuestrimi i celularit nuk është një veprim formal, por një hap që mund të shërbejë për të verifikuar nëse ka pasur komunikime direkte apo indirekte me personat nën hetim, nëse janë diskutuar pagesa, prona, leje apo marrëveshje të tjera të lidhura me projektin.
Megjithatë, deri në këtë fazë, nuk ka një akuzë zyrtare ndaj Samir Manes.
Emri i tij rezulton i përmendur në materiale hetimore dhe është subjekt verifikimesh, por kjo nuk nënkupton automatikisht përgjegjësi penale.
Nga ana tjetër, kompania BALFIN ka mohuar pretendimet, duke deklaruar se toka për të cilën flasin personat nën hetim nuk është bërë pjesë e projektit “Green Coast”.
Tani pesha e çështjes kalon te SPAK dhe BKH. Hetuesit duhet të provojnë nëse bisedat e personave nën hetim ishin thjesht diskutime mes tyre, apo nëse pas tyre ka pasur veprime konkrete, pagesa reale, ndërmjetësime dhe përfitime.
Për këtë arsye, telefoni i sekuestruar mund të jetë një provë kyçe. Nga ekspertiza e tij mund të dalë nëse ka pasur komunikime me Ilir Shtufin, Alfredo Hamzain, Artur Koçekun apo persona të tjerë të përfshirë në dosje.
Po ashtu, mund të verifikohet nëse ka mesazhe, thirrje, dokumente apo kontakte që përputhen me kronologjinë e përgjimeve të shkurtit 2021.
Nëse në dosjen “Meta” Mane ia doli për shkak të parashkrimit, këtë herë çështja duket se do të varet më shumë nga provat sesa nga afatet.
Pyetja kryesore nuk është më vetëm nëse emri i tij përmendet në biseda, por nëse SPAK mund të provojë lidhjen mes bisedave, pagesave të dyshuara dhe veprimeve konkrete në terren.
Deri atëherë, Samir Mane mbetet pa akuzë zyrtare dhe i pafajshëm në kuptimin ligjor.
Por kontrolli në zyrat e tij, sekuestrimi i celularit dhe përfshirja e emrit në një dosje kaq të rëndë e vendosin biznesmenin në një prej momenteve më të vështira publike përballë drejtësisë së re. /gazetajone



