Byroja Kombëtare e Hetimit ka ushtruar kontroll në banesën dhe ambientet e punës së biznesmenit Samir Mane, në zbatim të një vendimi të Gjykatës së Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar.
Burime të besueshme bëjnë të ditur se gjatë kontrolleve janë sekuestruar pajisje dhe materiale që pritet t’u nënshtrohen verifikimeve nga hetuesit. Mes tyre është edhe telefoni celular i biznesmenit.
Veprimet e BKH-së janë kryer në kuadër të hetimeve të nisura pas operacionit të fundit të SPAK, i cili goditi tre grupe të dyshuara kriminale të përfshira në trafikun ndërkombëtar të kokainës dhe pastrimin e produkteve të veprës penale.
Në qendër të hetimeve janë grupet që, sipas SPAK, drejtoheshin nga Artur Shehu, Artur Koçeku, i njohur edhe si Luçiano Koçeku, dhe Alfredo Hamzai.
Nga hetimet dyshohet se një pjesë e të ardhurave të siguruara përmes trafikut të narkotikëve kanalizohej në Shqipëri dhe investohej në pasuri të paluajtshme dhe në sektorin e ndërtimit.
Në materialet hetimore përmenden biznesmenët Ilir Shtufi dhe Orest Sota, të cilët dyshohet se janë përfshirë në veprime që lidhen me investimin dhe pastrimin e parave të përfituara nga aktiviteti kriminal.
Dosja evidenton gjithashtu të dhëna për investime të dyshuara në projektin turistik “Green Coast” në Palasë, të zhvilluar nga grupi i biznesit në pronësi të Samir Manes.
Emri i Manes rezulton i përmendur në materialet e administruara nga SPAK, ndërsa kontrolli në vilën dhe zyrën e tij është kryer për sigurimin e provave dhe verifikimin e të dhënave që lidhen me hetimin.
Telefoni i sekuestruar pritet t’i nënshtrohet ekspertimit, me qëllim evidentimin e komunikimeve apo materialeve të tjera që mund të kenë interes për çështjen.
Kontrolli dhe sekuestrimi i pajisjeve nuk nënkuptojnë automatikisht ngritjen e një akuze ndaj biznesmenit. Deri në këtë fazë nuk është bërë publike nëse Samir Mane ka statusin e personit nën hetim apo të një personi që ka dijeni për rrethanat e çështjes.
Deri tani, biznesmeni nuk ka bërë një reagim publik lidhur me kontrollet dhe sekuestrimin e telefonit të tij. /gazetajone.com



