Një hetim i gazetës britanike The Sun ka zbuluar se mijëra emigrantë të dëbuar nga Mbretëria e Bashkuar janë rikthyer sërish në vend vetëm pak vite pas deportimit.
Sipas të dhënave, nga viti 2021 deri në vitin 2025, rreth 4,300 persona që ishin dëbuar më parë u identifikuan sërish në Britani. Të paktën 723 emigrantë janë dëbuar dy ose më shumë herë, ndërsa autoritetet pranojnë se numri real mund të jetë edhe më i lartë, pasi jo të gjitha rastet mund të identifikohen përmes kontrolleve të identitetit.
Shqiptarët përbëjnë grupin më të madh të emigrantëve që janë rikthyer pas dëbimit, me 1,525 raste, ose më shumë se një e treta e totalit. Pas tyre renditen rumunët me 767 raste, afganët me 281, lituanezët me 233 dhe irakianët me 150.
Shifrat ngrenë pikëpyetje mbi efektivitetin e politikës së deportimeve në Britani, ndërsa kostot e dëbimeve mbeten të larta. Sipas të dhënave zyrtare, një fluturim me dëbim të detyruar kushtoi mesatarisht 48,800 paund për person gjatë vitit financiar 2024–2025, ndërsa një kthim vullnetar kushtoi rreth 4,300 paund.
Ndërkohë, migrimi i paligjshëm përmes Kanalit vazhdon të mbetet një sfidë. Që nga ardhja në pushtet e kryeministrit Keir Starmer në korrik 2024, mbi 76,000 emigrantë kanë mbërritur në Britani me anije të vogla, pavarësisht marrëveshjes me Francën “një brenda, një jashtë”. Deri më 15 qershor 2026, vetëm 921 emigrantë ishin kthyer në Francë në kuadër të kësaj marrëveshjeje.
Sekretari i Brendshëm i Reform UK, Zia Yusuf, e cilësoi situatën si një “shaka kombëtare”, duke akuzuar qeveritë konservatore dhe laburiste për dështim në kontrollin e kufijve.
Nga ana tjetër, një zëdhënës i Ministrisë së Brendshme britanike deklaroi se individët që tentojnë të rikthehen në mënyrë të paligjshme do të identifikohen dhe do të largohen sërish nga vendi. Sipas ministrisë, rreth 70,000 persona janë kthyer ose janë larguar nga Mbretëria e Bashkuar nga korriku 2024 deri në fund të marsit 2026, një rritje prej 41% krahasuar me periudhën e mëparshme 21-mujore.



