-1000-0-c927c6d6-46dc-40c7-9a39-5dcb733f63a5-6a4e16477a8bc

Ka një deklaratë që në Shqipëri nuk del kurrë nga moda: “Do të shtojmë kontrollet për sigurinë ushqimore.”

E dëgjojmë çdo verë. E dëgjojmë pas çdo skandali. E dëgjojmë pas çdo rasti helmimi. Dhe, çuditërisht, e dëgjojmë përsëri pas rastit të radhës.

Sot ishte radha e Kryeinspektorit të Përgjithshëm, Dashnor Sula, i cili siguroi se, në kulmin e sezonit turistik, kontrollet do të forcohen, do të ketë më shumë inspektime dhe siguria ushqimore do të jetë prioritet.

Një deklaratë që shqiptarët e kanë dëgjuar aq shumë, sa mund ta recitojnë përmendësh.

Ndërkohë, realiteti ka një kujtesë më të mirë se konferencat për shtyp.

Vetëm pak ditë më parë, dhjetëra studentë u helmuan për herë të dytë brenda një muaji. Para tyre kanë qenë turistë, fëmijë, klientë restorantesh e lokalesh, ndërsa pas çdo rasti skenari përsëritet me një saktësi të admirueshme: mbledhje, deklarata, “masa të forta”, kontrolle intensive dhe premtimi se kjo nuk do të ndodhë më.

Derisa ndodh sërish.

Në Shqipëri nuk mungojnë kurrë inspektimet… pas ngjarjes. Problemi është se helmimet ndodhin përpara tyre.

Kryeinspektori premton kontrolle të shtuara për qumështin, nënproduktet, pesticidet dhe subjektet që ndikojnë në mjedis. Shumë mirë. Por pyetja që lind është e thjeshtë: ku ishin këto kontrolle përpara se njerëzit të përfundonin në spital?

Edhe kur shohim aksione, zakonisht kamerat përfundojnë te ndonjë dyqan i vogël, ku sekuestrohen disa shishe qumësht apo arka me vezë. Janë gjithmonë hallkat më të dobëta të zinxhirit që ekspozohen para publikut.

Ndërkohë, qytetarët presin të shohin të njëjtin vendosmëri edhe ndaj operatorëve të mëdhenj të tregut, supermarketeve dhe subjekteve me qarkullim të lartë, në çdo rast kur autoritetet konstatojnë shkelje të rënda. Sepse siguria ushqimore nuk garantohet duke goditur vetëm më të vegjlit, por duke ushtruar të njëjtin standard kontrolli për të gjithë.

Sepse siguria ushqimore nuk matet me numrin e konferencave për shtyp apo të aksioneve të shpallura pas alarmit. Matet me aftësinë për të parandaluar helmimin e qytetarëve, jo për të shpjeguar atë pasi ka ndodhur.

Në fund, mbetet vetëm një konstante: pas çdo helmimi premtohen masa të forta. Aq sa, nëse premtimet do të kishin efektin e kontrolleve që na premtohen prej vitesh, ndoshta sot nuk do të flisnim më për helmime, por vetëm për statistika të suksesshme.

Por realiteti vazhdon të na kujtojë se në Shqipëri, siguria ushqimore duket se fillon gjithmonë… pasi dikush është helmuar.