Erald Simixhiu, një familjar i afërt i Ajola Xoxes, vendosi në mesin e këtij gushti që të mbyllë kompaninë e tij, “Arts Lab”, pasi u përfshi në listën e të të pandehurve mes një grupi personash, ndër të cilët kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj dhe disa biznesmenë.
Studioja artistike e Simixhiut akuzohet nga Prokuroria e Posaçme (SPAK) se ka shërbyer si mbulesë për aktivitete të organizuara fiktivisht nga Xoxa, me qëllim pastrim e parave që kishin si origjinë bashkinë e Tiranës, e drejtuar nga bashkëshorti i saj.
“Arts Lab” nuk është e para që pësoi “tronditje” pas arrestimit të kryebashkiakut Erion Veliaj, në shkurt 2025.
Më herët, pezulloi aktivitetin “Nan Gallery”, një tjetër subjekt i kontrolluar nga Ajola Xoxa dhe që akuzohet se ka kryer ankande fiktive të veprave të artit, me blerës biznesmenë që aplikonin dhe fitonin leje ndërtimi në Bashkinë e kryeqytetit.
Ndërsa “goditja” më e madhe që duket se ka marrë Ajola Xoxe është ulja në minimun e normës së fitimit të zyrës së saj ligjore, “Partners Law”.
Në vitin 2025, ajo deklaroi një fitim afro 4 mijë euro, me një ulje drastike me rreth 92 përqind, krahasuar me të ardhurat në shumën 4.8 milionë lekë të reja të deklaruar një vit më herët.

Në periudhën e fundit të vitit 2025, Xoxe u përball me vështirësi shëndetësore, falë një shtatëzanie që u finalizua në fund të qershorit 2026, me lindjen e djalit të dytë të çiftit, një situatë që mund të ketë ndikuar disi edhe në aktivitetin e saj financiar.
Megjithatë, situata e vështirë financiare duket se ka përfshirë të gjithë vitin 2025, edhe atë periudhë kur Xoxes nuk i kishin shfaqur ende problemet shëndetësore. Një vit që nisi shumë keq për familjen e kryebashkiakut, me arrestimin e tij në fillim të Shkurtit.
“Dorëzohet” Simixhiu
Në 10 Gusht 2026, në adresën e Qendrës Kombëtare të Biznesit mbërrin aplikimi me tekstin: “Unë, Erald Simixhiu”, shtetas austriak, lindur në Tiranë, në vitin 1971, vendos të prishë shoqërinë “Arts Lab” dhe fillimin e procedurës së likujdimit…”.
I gjendur në Tiranë këto ditë të nxehta vere, Simixhiu, daja i Ajola Xoxes, vendos të mbyllë studion e tij, të krijuar në vitin 2021, me objekt veprimtari të ndryshme në fushën e botimit, artit dhe kulturës, etj.

Në dosjen e Prokurorisë së Posaçme thuhet se “Arts Lab” ka përfituar fonde nga një grup kompanish, të lidhura të gjitha në mënyrë direkte apo indirekte nga Ajola Xoxa.
“Nga analizimi i të dhënave për këtë kompani rezulton se ka gjeneruar të ardhura nga subjektet ‘Rametal’, 50.000 euro; ‘BYL-A’, 43.000 euro; ‘Jedas’, 30.000 euro; ‘Harabel’, 29.000 euro; ‘Eventus’, 26.000 euro; ‘Muza’, 11.000 euro, Driant Zeneli 5.000 euro dhe Shoqata Bash-Art, përfituese e fondeve nga Bashkia Tiranë, 8.000 euro”.
Në total, “Arts Lab” e Erald Simixhiu ka arkëtuar 240.000 euro, dhe të gjitha rezultojnë që janë si transaksione mes OJF-ve të Ajola Xoxës si dhe ndonjë OJF-je tjetër që gjithashtu ka marrë fonde nga Bashkia e Tiranës me firmën e Erjon Veliajt.
Prokurorët e SPAK-ut dyshojnë se të gjitha veprimtaritë financiare, të dyshuara fiktive, të “Arts Lab” janë menaxhuar nga Ajola Xoxe.
“Nan Gallery” mbyll qepenin
Në një vilë në zonën elitare të ish-Bllokut në Tiranë, të përfituar pa qira, kuratorja Ajola Xoxe drejtoi për disa vite “Nan Gallery”, një qendër artistike, në të cilën zhvilloheshin herë pas here ankande për shitje pikturash.
Hetimet e Prokurorisë së Posaçme zbuluan se “blerësit” ishin biznesmenë ndërtimi, të cilët nuk duket se kishin asnjë lidhje me artin. Sipas prokurorëve, “blerja” e pikturave në galerinë e Ajolës, në shifra dhjetra mijëra euro, ishin një formë “shpërblimi” për lejet e ndërtimit që ata merrnin tek bashkëshorti i saj, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj.
“Nan Gallery” u krijua në vitin 2023, në pronësi të qendrës “Harabel”, kjo e fundit e menaxhuar nga Ajola Xoxa.
Arrestimi i Veliajt duket se i prishi ecurinë e ankandeve. Në Prill të vitit 2025, vetëm dy muaj pasi kryebashkiaku i Tiranës u detyrua me vendim të Gjykatës së Posaçme që të bëhet rezident i paraburgimit të Durrësit, “Nan Gallery” pushon së ekzistuari.

“Sot, në datë 11 Prill 2025, ortaku i vetëm, “Qendra Harabel”, vendosi të pezullojë përkohësisht aktivitetin e “Nan Gallery”, thuhet në dokumentin e dorëzuar në Qendrën Kombëtare të Biznesit në atë kohë.
Në një verifikim të kryer së fundmi nga “Boldnews.al”, rezulton se “Nan Gallery” vijon të jetë ende nën statusin “e pezulluar”.
Studioja ligjore e Ajolës, në greminë
Për Ajola Xoxe, viti 2025 mund të konsiderohet pa asnjë ngjyrim të tepruar si “greminë financiare” dhe jo vetëm. Pa kaluar ende dy muaj nga nisja e vitit, bashkëshorti i saj, Erion Veliaj, një nga njerëzit më të fuqishëm politikisht në Shqipëri, provoi shijen e hidhur të prangave.
Prokuroria e Posaçme e akuzon Veliajn për 13 akuza. Plot 9 prej të cilave janë për “korrupsion pasiv të zyrtarëve të lartë”, të tjerat janë për “pastrim parash”, “fshehje të pasurisë”.
Ndërsa një akuzë tjetër, tërësisht minore krahasuar me të tjerat, është “futja e pajisjeve të ndaluara në mjediset e burgut”, referuar përdorimit të telefonit të një punonjësit të burgjeve për të folur me familjarët e tij.
Në thuajse të gjithë rastet e korrupsionit, Prokuroria e akuzon se i ka kryer në bashkëpunim me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxe, për të cilën u caktua fillimisht masa e sigurimit “detyrim për paraqitje” dhe “ndalim i daljes jashtë shtetit”.
Ajola Xoxe ka si profesion të parë juristen-avokaten. Ajo zotëron studion ligjore “Partner’s Law” prej vitit 2018. Prokuroria thotë se ka provuar që zyra ligjore ka qenë qendra e koordinimit të veprimtarisë së dyshuar kriminale të Ajolës.

Referuar bilanceve të dorëzuara në Qendrën Kombëtare të Biznesit, rezulton se, të paktën në periudhën 2022-2024, të ardhurat e deklaruara nga studioja ligjore “Partner’s Law” varionin nga 50 mijë deri në 80 mijë euro.
Por, në vitin 2025, kjo shumë u reduktua në vlera tërësisht minimale. Për vitin 2025, ‘Partner’s Law” e Ajola Xoxes deklaron një fitim në shumën e 350 mijë lekë të reja ose afërsisht 4 mijë euro.

Një e dhënë domethënëse që dëshmon se, pas arrestimit të bashkëshortit të saj, Ajola pësoi një rrënim financiar.
Ajola merr “kontrollin” e mamasë
“Ava Studio” është një tjetër subjekt tregtar, i përfshirë në hetimet e Prokurorisë së Posaçme ndaj Erion Veliajt.
Me aktivitet në fushën e artit dhe kulturës, kompania është themeluar në vitin 2021 nga Valbona Xoxe, por që sipas SPAK-ut përdorej nga vajza e saj, Ajola, si trampolinë për kalimin e fondeve nga bashkia e Tiranës në llogaritë e familjes së kryebashkiakut.
Në Korrik të vitit 2025, rreth 6 muaj pasi dhëndri i saj, Veliaj, u arrestua, pronarja në letra, Valbona Xoxe, pezulloi aktivitetin e “Ava Studio”.

Megjithatë, ajo u rikthye sërish aktive në nëntor të vitit të kaluar. Veç se, kësaj radhe, Ajola u shfaq zyrtarisht pranë kësaj kompanie.
Me ri-aktivizimin e subjektit, “Ava Studio” ndryshon kontaktin e saj. Tashmë, për çdo komunikim me Valbonën, duhet të kalohet fillimisht nga adresa elektronike info@thepartners.al, e cila është e njëjtë me atë të studios ligjore të Ajola Xoxes, “Partner’s Law”.



