Mbrëmjen e së mërkurës, Shtetet e Bashkuara të Amerikën nisën valën e dytë të sulmeve ndaj Iranit, duke shënjestruar jugun e vendit dhe zonat pranë Ngushticës së Hormuzit.
Irani ka aktivizuar menjëherë sistemet e mbrojtjes dhe është shprehur se “agresori do të ndëshkohet ashpër.” Sulmet nuk kanë kursyer as Kuvajtin e Bahreinin duke piketuar bazat amerikane.
Donald Trump ka publikuar në Truth një seri imazhesh nga bombardimet e kryera nga Shtetet e Bashkuara.
“Kjo është një hakmarrje për bombardimin e anijeve nga Irani që ndodhi dje. Nëse kjo ndodh përsëri, situata do të përkeqësohet ndjeshëm!”, shkroi ai.
Ndërsa në bordin e Air Force One, përforcoi deklaratën se Irani është goditur rëndë dhe dëshiron marrëveshje, por “problemi është se nuk e di nëse do ta respektojë atë”.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme të Iranit, Esmaeil Baqaei, sipas agjencisë së lajmeve IRNA, deklaroi se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur kuadrin e Marrëveshjes së Islamabadit të nënshkruar nga të dy vendet, duke theksuar se Republika Islamike “do të mbrojë me vendosmëri” interesat e saj kombëtare dhe sovranitetin e saj.
Ai vuri në dukje se Shtetet e Bashkuara kanë shkelur nenin 5 të Memorandumit të Mirëkuptimit, i cili thekson përgjegjësinë e Republikës Islamike për garantimin e kalimit të sigurt të anijeve përmes Ngushticës së Hormuzit.
Departamenti i Thesarit i Shteteve të Bashkuara ka revokuar licencën e përgjithshme që autorizonte përkohësisht prodhimin, shitjen dhe dorëzimin e naftës iraniane.
Kjo ka nxitur reagime nga kryeparlamentari iranian, Mohammad Bagher Ghalibaf, ka deklaruar se tashmë SHBA-të do të përballen me pasojat.
“Amerika ende nuk e ka mësuar se arroganca dhe mungesa e besnikërisë nuk janë më pa kosto. Ta kemi të qartë: provoni, dhe do të paguani pasojat. Ngushtica e Hormuzit hapet vetëm përmes marrëveshjeve me Iranin, jo me kërcënimet amerikane”, tha kryenegociatori i Iranit.



