Një atentat me armë zjarri tronditi mbrëmjen e sotme Shkodrën, ku mbeti i vrarëAleksandër Koçeku. Viktima u gjet brenda automjetit të tij në aksin rrugor Prekal–Kir, ndërsa autorët vijojnë të jenë ende të paidentifikuar.
Vrasja e Koçekut ka ngritur dyshime për një hakmarrje të mundshme, pasi emri i tij lidhet me një tjetër ngjarje të rëndë kriminale në Shkodër, atë të vrasjes së Pavlin Prekës.
Sipas dosjes hetimore për vrasjen e Prekës, Aleksandër Koçeku dyshohet se ka marrë pjesë në ekzekutimin e viktimës, në bashkëpunim me Vasel Koçekun dhe Klaudio Lisajn.
Prokuroria ka ngritur dyshime se motivi i asaj ngjarjeje lidhej me një konflikt familjar, pasi Pavlin Preka dyshohej se kërkonte të merrte për bashkëshorte vajzën e Vasel Koçekut pa pëlqimin e saj.
Dyshohet se përshkallëzimi i konfliktit dhe përplasjet e krijuara mes palëve mund të kenë sjellë edhe ngjarjen e sotme, ku mbeti i vrarë Aleksandër Koçeku.
Megjithatë, grupi hetimor ende nuk ka dalë me një pistë zyrtare për motivin e atentatit dhe po verifikon të gjitha dyshimet.
Zgjatja e hetimeve për vrasjen e Pavlin Prekës ka rikthyer pikëpyetjet mbi masat e sigurisë ndaj personave të dyshuar në këtë ngjarje. Pavarësisht se Prokuroria thotë se nga provat e mbledhura deri tani dyshohet se Vasel Koçeku, Aleksandër Koçeku dhe Klaudio Lisaj kanë planifikuar dhe realizuar vrasjen, mbetet për t’u sqaruar nga organet e drejtësisë se përse personat nën hetim ndodhen të lirë.
Fakti që hetimet vijojnë prej muajsh dhe se Prokuroria kërkon kohë shtesë për administrimin e provave, marrjen në pyetje të dëshmitarëve dhe kryerjen e ekspertizave, ka ngritur pikëpyetje mbi ecurinë e çështjes dhe përgjegjësinë e institucioneve për menaxhimin e saj.



