Publikohen për herë të parë pamjet nga brenda Postës Shqiptare në Durrës, ku abuzimi me fondet çoi në arrestimin e ish-drejtoreshës së filialit Elisabeta Matajt, dhe la në arrest shtëpie ish-shefen e financave Valbona Dunin dhe ish-arkëtaren Paola Dana.
Nga pamjet, duket momenti kur ish-shefja e financës në Postën e Durrësit, Valbona Duni është futur në arkën e filialit, ka marrë një shumë parash duke i futur në një thes dhe është larguar.
Ndërkohë nga pamjet e siguruara duken edhe momente të tjera brenda në zyrë, ku Duni shfaqet me letra në duar, duke biseduar me ish- arkëtaren, Paola Dana.
Video e marrë nga Durrës Lajm:
Marrja e masës së sigurisë “arrest në shtëpi” ndaj ish-shefes së Financës së Postës Durrës, Valbona Duni, duket se ka hapur një tjetër front hetimor.
Dy ditë pasi Gjykata vendosi masën e sigurisë ndaj saj, bashkëshorti i ish-drejtoreshës së Filialit të Postës Durrës, Elisabeta Mataj, e cila ndodhet në masën “arrest në burg”, ka depozituar një kallëzim penal në Drejtorinë Vendore të Policisë Durrës, duke ngritur akuza të rënda ndaj ish-shefes së Financës Valbona Duni.
Mataj, Duni dhe Paola Dana akuzohen nga prokuroria, pas kallëzimit të Postës Shqiptare, për vjedhje duke shpërdoruar detyrën në bashkëpunim.



