Kreu i Partisë Demokratike, Sali Berisha, komentoi largimin nga PD të Jola Hysajt, e cila u emërua nga kryeministri Edi Rama në krye të Agjencisë Kombëtare të Turizmit.
Sipas Berishës, emërimi i saj është pjesë e përpjekjeve të qeverisë për të goditur dhe korruptuar opozitën. Ai deklaroi se ka individë që, sipas tij, “shiten e blihen sipas tregut të qeverisë”, ndërsa këmbënguli se opozita mbetet e vendosur për largimin e Ramës nga pushteti.
“Në një narkoshtet të bazuar në drogën, korrupsionin dhe vjedhjen, natyrisht opozita, korruptimi i opozitës, burgosja e opozitës, rrënimi i opozitës është politike kryesore e diktatorit Edi Rama. Në këtë kuadër gjenden edhe individë që shiten e blihen sipas tregut të qeverisë. Por opozita qëndron më e pamposhtur ndaj tij dhe e gatshme të bëjë gjithçka për largimin e tij nga pushteti. Një njeri që bazon qeverisjen në akte të tilla tregon sesa primitiv është si njeri”, u shpreh kreu i PD.



