Një i ri shqiptar ka humbur jetën në Vescovato, një qytezë në provincën e Cremona në Itali.
Mediat italiane raportojnë se në orët e vona një 24-vjeçar i identifikuar si N. Dalipaj, dyshohet se është goditur të paktën tri herë në fyt me thikë pas një sherri mes të rinjsh.
Ai u transportua në gjendje të rëndë në spital, por 24-vjeçari ndërroi jetë pak pas shtrimit.
Për këtë ngjarje është ndaluar një 32-vjeçar, Mattia Miraglia, banues në Vescovato. Ai ka mbetur gjithashtu i plagosur gjatë përleshjes dhe ndodhet nën kujdesin e mjekëve në spitalin “Maggiore” të Cremonës.
Sipas të dhënave të para nga hetimi i karabinierëve, konflikti dyshohet se ka nisur për motive banale, konkretisht nga xhelozia për një vajzë.
Paraprakisht dyshohet se mes dy personave ka pasur një debat në një lokal , i cili më pas ka përshkallëzuar në përplasje fizike me pasojë vrasjen e shqiptarit.
Hetimet për zbardhjen e plotë të dinamikës së ngjarjes vijojnë nën drejtimin e autoriteteve italiane.



