Një drejtues automjeti është ndëshkuar rëndë nga Policia Rrugore, pasi u kap duke qarkulluar me shpejtësi marramendëse në aksin kombëtar Milot–Laç.
Sipas njoftimit zyrtar, në kulmin e trafikut, shoferi u evidentua nga sistemi inteligjent Poliscan duke lëvizur me 212 km/h, duke krijuar rrezik të lartë për aksidente të rënda.
Pas ndërhyrjes së menjëhershme të shërbimeve të Policisë Rrugore, drejtuesi i mjetit u ndalua dhe u ndëshkua me gjobë prej 400 mijë lekësh të rinj, ndërsa iu zbritën edhe 12 pikë nga leja e drejtimit.
Policia e Shtetit bën të ditur se kontrollet me mjetet inteligjente Poliscan do të vijojnë në të gjitha akset rrugore kombëtare, me fokus evidentimin dhe ndëshkimin e shkelësve të kufijve të shpejtësisë.
Autoritetet u bëjnë thirrje të gjithë drejtuesve të mjeteve të respektojnë rregullat e qarkullimit rrugor dhe kufijtë e shpejtësisë, duke theksuar se shpejtësia mbetet një nga shkaqet kryesore të aksidenteve me pasoja të rënda.
“Mos fluturoni në rrugë! Shpejtësia vret.” Ky është apeli i Policisë së Shtetit, e cila garanton se kontrollet intensive do të vazhdojnë për rritjen e sigurisë rrugore dhe parandalimin e aksidenteve.



