-1000-0-d1164c1a-5afd-46e1-9684-5f78c90ce209-6a7196c3795aa

Ndërsa përpiqet të dalë nga paraburgimi dhe po përballet me gjykimin për 13 akuza penale në GJKKO, një tjetër front hetimor po ngushton rrethin ndaj Erion Veliajt. SPAK po thellon verifikimet për të gjitha udhëtimet jashtë vendit të kryebashkiakut të Tiranës gjatë viteve 2022-2023, si edhe për shpenzimet e kryera gjatë tyre, të cilat, sipas hetimeve, në pjesën dërrmuese nuk rezultojnë të jenë deklaruar sipas kërkesave të ligjit.

SPAK është duke vijuar hetimet për dosjen “Veliaj 2” dhe, sikurse VNA ka raportuar më herët, është duke verifikuar të gjitha udhëtimet e Erion Veliajt jashtë vendit, si dhe shpenzimet e kryera, të cilat rezultojnë se nuk janë deklaruar sipas ligjit.

Nga dokumentacioni i sekuestruar pranë Bashkisë së Tiranës dhe verifikimet në sistemin TIMS rezulton se kryebashkiaku, përgjatë viteve 2022-2023, ka kryer mbi 100 udhëtime në destinacione të ndryshme të botës.

Përgjatë kësaj kohe, kur Veliaj ndodhej jashtë vendit, në Tiranë publikoheshin pamje të tij sikur ishte në krye të detyrës, duke mbjellë pemë apo inauguruar shkolla e kopshte, ndërkohë që, sipas hetimeve, këto materiale ishin regjistruar më herët.

Një tjetër detaj që është konstatuar nga hetuesit e Byrosë Kombëtare të Hetimit është se shpenzimet për këto udhëtime nuk janë deklaruar, në pjesën dërrmuese të tyre, në deklaratat e pasurisë së kryetarit të Bashkisë së Tiranës.

Ky hetim mund t’i sjellë Erion Veliajt akuza të reja penale, ndërsa ai vijon përpjekjet për të lënë qelinë e paraburgimit, ku mbahet që prej 10 shkurtit 2025.

Aktualisht, Erion Veliaj po gjykohet në GJKKO për 13 akuza penale, së bashku me bashkëshorten e tij dhe disa të pandehur të tjerë.