Apartamentet me qira afatshkurtra për turistët apo pushuesit vendas është shndërruar në një aktivitet fitimprurës për mjaft familje, sidomos në qytetet bregdetare gjatë sezonit turistik.
Megjithatë në Vlorë është shënuar edhe konflikti i parë për shkak të konkurrencës.
Ky është momenti kur një 33-vjeçar afrohet e ngjit shkallët e ndërtesës me qëllim jo për të pritur turistë, por për ti vënë zjarrin shtëpisë së komshiut.
Shkak? Konkurrenca.
“Paraprakisht dyshohet se 33-vjeçari, në orët e para të mëngjesit, i ka vënë zjarrin derës së apartamentit, për motive konkurrence me pronarët, duke qenë se ushtronin veprimtari ekonomike të njëjtë, atë të qiradhënies së apartamenteve në Vlorë”, thotë policia.
Brenda pak minutash largohet, ndërsa flakët ndezin derën e banesës. Autori ikën me skuter dhe me kokore për t’i shpëtuar identifikimit.
Brenda ambientit ndodheshin dy persona vëlla e motër duke i vënë në rrezik të madh. Ndërsa ngjarja u regjistrua në orën 2:30 të mëngjesit në lagjen Lef Sallata.
Pas verifikimit të pamjeve dhe të situatës policia thotë se ka ndaluar shtetasin Barend Hoxhaj me akuzën e shkatërrimit të pronës me zjarr.
Si rezultat policia thotë se u regjistruan dëme të mëdha, por fatmirësisht pa dëme në njerëz.



