IMG_4111

Në një cep të qetë të Amerikës së Jugut, rreth 200 kilometra nga Montevideo dhe vetëm një orë me traget nga Buenos Airesi, po lind ideja për një qytet që duket sikur ka dalë nga një roman fantastiko-shkencor.

Në brigjet e Uruguait, një kompani amerikane e lidhur me qarqet e teknologjisë dhe kriptomonedhave, po planifikon të ndërtojë një komunitet futurist për njerëzit që duan të jetojnë larg rregullave tradicionale, taksave dhe pasigurive të botës moderne.

Emri i projektit është Praxis dhe vizioni i tij është ambicioz: një qytet enkas për sipërmarrës, drejtues të teknologjisë, profesionistë krijues dhe njerëz që duan të shkëputen nga shoqëria tradicionale, veçanërisht nga Shtetet e Bashkuara dhe Evropa.

Ideja lidhet me një valë projektesh të quajtura “start-up cities”, që synojnë të krijojnë enklava me rregulla të veçanta dhe një shkallë të lartë autonomie. Pas tyre qëndron një pjesë e elitës së teknologjisë dhe kriptomonedhave, e cila beson se shoqëritë tradicionale janë shumë të ngadalta dhe të kufizuara për botën që po vjen.

Në krye të Praxis është 30-vjeçari Dryden Brown, ish-sërfist profesionist. Ai ka deklaruar se ka nënshkruar marrëveshje me një kompani fillestare argjentinase për ta ngritur qytetin brenda kompleksit të ri rezidencial +Colonia, në bregdetin uruguaian, pranë qytetit historik Colonia del Sacramento.

+Colonia shtrihet përgjatë rreth 8 kilometrave vijë bregdetare. Për projektin janë investuar tashmë 290 milionë dollarë, disa ndërtesa janë në ndërtim dhe qindra apartamente janë shitur. Themeluesi i projektit, Eduardo Bastitta, është gjithashtu këshilltar i presidentit argjentinas Javier Milei.

Praxis synon të financohet nga kapitali i sektorit të kriptomonedhave. Kompania ka marrë në vitin 2024 një linjë krediti prej 500 milionë dollarësh nga Gem Digital. Që prej vitit 2021, projekti ka mbledhur gjithashtu dhjetëra milionë dollarë nga kompani të teknologjisë.

Brown e imagjinon qytetin si një lloj laboratori për një shoqëri të re, në një botë ku inteligjenca artificiale do të ketë ndryshuar thellësisht mënyrën e jetesës. Frymëzimi estetik vjen nga Greqia klasike, Perandoria Romake dhe Rilindja.

Edhe emri Praxis vjen nga greqishtja e lashtë dhe nënkupton procesin përmes të cilit një ide apo teori shndërrohet në realitet. Por, përtej vizionit, realiteti është ende modest.

Sipas marrëveshjes, Praxis duhet të nisë blerjen e tokave brenda +Colonia deri në fund të vitit 2027. Brown planifikon të zhvendoset në Uruguai në dhjetor dhe shpreson që ndërtesat e para për komunitetin të jenë të disponueshme vitin e ardhshëm.

Screenshot-2026-09-28-135214-640x428.png

Faqja e projektit pretendon se rreth 4.500 persona nga komuniteti online kanë shprehur tashmë interes për t’u zhvendosur. Deri tani, komuniteti ka pasur më shumë jetë virtuale sesa fizike.

Takimet e anëtarëve janë zhvilluar kryesisht përmes aktiviteteve dhe festave në Nju Jork, ku disa pjesëmarrës mbanin varëse me mbishkrimin: “Takohemi në qytetin e përjetshëm”.

Praxis nuk është ideja e parë e këtij lloji. Në Honduras, projekti Próspera u krijua në vitin 2017 si një tjetër “start-up city”, me leje dhe rregulla të veçanta. Por ai përfundoi në një përplasje ligjore shumëmiliardëshe pasi qeveria e re hondurase ndryshoi kuadrin që e kishte lejuar.

Ndërkohë, Uruguai duket veçanërisht tërheqës për Praxis. Ky vend ofron stabilitet politik, lehtësi fiskale për disa kategori investitorësh dhe procedura relativisht të shpejta për rezidencën dhe shtetësinë.

Presidenti Yamandú Orsi e ka cilësuar më parë +Colonia si një projekt “shumë inovativ”. Por qyteti ka edhe një dimension ideologjik. Theksi mbi “vlerat perëndimore”, estetika klasike dhe kritika ndaj shoqërisë moderne kanë bërë që Praxis të lidhet nga kritikët me disa nënshtresa të së djathtës ekstreme në internet.

Brown e mohon këtë klasifikim, ndërsa thotë se nuk identifikohet as me demokratët dhe as me progresistët dhe se ndarjet tradicionale partiake i konsideron të vjetruara.