Screenshot 2026-10-09 at 11.22.46 AM

Valentin Ftoni, i arrestuar në Shtetet e Bashkuara të Amerikës pas dekadash në kërkim, është dënuar në Shqipëri me dy dënime të veçanta, nga 25 vite burg secili, për tri vrasje. Emri i tij lidhet me ngjarje të rënda kriminale të ndodhura në fund të viteve ‘90 dhe në fillim të viteve 2000.

Sipas të dhënave për çështjet gjyqësore ndaj tij, të siguruara nga gazetarja Anila Hoxha, njëri prej dënimeve lidhet me vrasjen e Tom Gacit, në vitin 1998. Dënimi tjetër është dhënë për vrasjen e çiftit Gjelosh dhe Ardiana Markaj, të kryer në vitin 2000.

Në total, Ftoni është dënuar për tri vrasje, me dy vendime që parashikojnë nga 25 vite burgim.

Përveç këtyre dy çështjeve, Valentin Ftoni është gjykuar edhe për një tjetër ngjarje të rëndë kriminale. Bëhet fjalë për vrasjen e Behar Becit, të ndodhur në vitin 2001.

Për këtë rast, ai është shpallur i pafajshëm, ndaj ngjarja nuk përfshihet në vrasjet për të cilat është dënuar.

Ftoni i është shmangur drejtësisë shqiptare për një periudhë të gjatë, duke përdorur identitete të ndryshme. Përpjekjet për lokalizimin e tij u kryen në bashkëpunim me autoritetet amerikane, përfshirë marshallët amerikanë, Ambasadën e Shteteve të Bashkuara në Tiranë dhe struktura të tjera ligjzbatuese.

Arrestimi i tij në SHBA shënon një zhvillim të rëndësishëm në çështjen e një personi të kërkuar prej dekadash nga drejtësia shqiptare. Ftoni ishte prej kohësh në listën e 30 shqiptarëve më të kërkuar.