-640-0-meloni-1773873604

Luigi Belluzzo mbërriti të hënën në zyrën e tij të konsulencës në Milano, Belluzzo International Partners, duke pritur që ajo të ishte një ditë si gjithë të tjerat. Por telefoni i tij nisi të bjerë dhe nuk u ndal më.

“Sa klientë më telefonuan atë ditë? Më shumë se 50. Jo vetëm mua, por edhe të gjithë partnerët tanë,” thotë ai. Klientët e tij ishin mbërthyer nga alarmi.

Qeveria italiane, e cila kishte joshur mijëra financierë dhe investitorë super të pasur në vend përmes një sistemi bujar të taksës së sheshtë, sapo kishte lëshuar një bombë të papritur: një taksë largimi.

Projektligji i fundit financiar nga kryeministrja Giorgia Meloni dukej se sugjeronte që, nëse ata tani do të tentonin të largoheshin nga Italia, do të paguanin një taksë prej 26% mbi fitimet kapitale për çdo gjë të akumuluar gjatë kohës që jetonin atje – madje edhe mbi fitimet e parealizuara.

“Dikush më telefonoi dhe e përshkroi këtë si një ‘kurth mjalti’. Të joshin të hysh brenda me këtë taksën fikse, por nëse vendos të largohesh në një moment në të ardhmen, të kapin rrugës duke dalë,” thotë Marc Acheson, një këshilltar pasurie në kompaninë Utmost Group me qendër në Londër.

Kjo është pikërisht ajo për të cilën janë të shqetësuar klientët e Belluzzo-s. Ai thotë: “Ishte si një bombë, sepse titulli kryesor ishte ‘taksa e largimit’ dhe kështu të gjithë menduan: ‘O Zot, a po më godet edhe mua?’”

Individët e pasur kanë vërshuar drejt Italisë, gjithnjë e më shumë nga Londra, që kur regjimi i taksës fikse u prezantua pothuajse një dekadë më parë. Ata paguajnë një shumë të plotë vjetore fikse pa dhënë llogari (e cila mbulon të gjitha të ardhurat dhe fitimet e tyre jashtë vendit), dhe më pas pothuajse nuk u duhet fare të shqetësojnë kontabilistët e tyre deri në vitin e ardhshëm.

Drejtimi për në Milano?
Milano ka qenë epicentra e këtij eksodi të të pasurve. Qiratë u rritën, restorantet luksoze lulëzuan, klubet private të anëtarësimit u hapën ose u zgjeruan, dhe regjistrimet në shkollat ndërkombëtare të qytetit shënuan rritje të madhe.

Lëmshi i Melonit me taksën e largimit/ A i mashtroi Italia të

Tani duket se Meloni mund ta mbysë këtë rritje, e gjitha në emër të disa miliona eurove dhe një grushti votash populliste. Nuk ishin vetëm klientët e Belluzzo-s ata që u alarmuan.

Politikanët italianë dhe ekspertët financiarë britanikë iu bashkuan gjithashtu këtij zhurmimi shqetësues. Matteo Renzi, ish-kryeministri i qendrës së majtë që konceptoi regjimin e taksës fikse, shkroi në platformën X: “Çfarë çmendurie! Giorgia Meloni shkatërron një përpjekje dhjetëvjeçare për të tërhequr investime me një rregullore populliste. Absurde.”

James Quarmby, një avokat taksash në Londër, shkroi në LinkedIn: “Festa ka mbaruar në Itali.” Ai i këshilloi njerëzit e pasur që kërkojnë një strehë të sigurt financiare të shikojnë drejt Greqisë, e cila po “ofronte një paketë shumë më tërheqëse dhe pa asnjë dramë”.

‘Është e ndërlikuar dhe fatkeqësisht, shumë italiane’
Belluzzo, ashtu si shumë këshilltarë të tjerë, e ka kaluar javën e fundit duke u përpjekur t’i mbajë klientët e tij të qetë. Ai, si çdo avokat italian i çështjeve tatimore me të cilin ka biseduar «The Telegraph», thotë se taksa e largimit do të zbatohet vetëm në rrethana shumë specifike – dhe jo për ata që paguajnë taksën fikse në formë shume të vetme (lump-sum).

“Nuk bëhet fjalë për një taksë të plotë largimi, siç ndodh në Danimarkë. Është diçka mjaft e ndërlikuar dhe, për fat të keq, shumë italiane,” thotë ai.

Lëmshi i Melonit me taksën e largimit/ A i mashtroi Italia të

Luigi Belluzo

Këndvështrimi i përgjithshëm është se qëllimi i Melonit ishte të vendoste një taksë të ngjashme me atë që aplikohet tashmë në pothuajse çdo vend tjetër evropian, me përjashtim të Britanisë dhe Zvicrës.

Synimi i saj është të parandalojë rastet kur një italian përpiqet t’u shmanget detyrimeve tatimore duke u shpërngulur përtej kufirit – për shembull në Lugano të Zvicrës – për të shitur më pas të gjitha asetet e tij pa paguar taksë mbi fitimin kapital, e më pas të kthehet sërish në Itali.

Megjithatë, kjo nuk përfshin shtetasit e huaj që kanë paguar shumën fikse prej 300,000 eurosh (250,000 paundësh). Për ta konsiderohet se i kanë përmbushur detyrimet e tyre tatimore në Itali lidhur me të ardhurat e fituara jashtë vendit, përfshirë këtu edhe taksën mbi fitimin kapital.

Problemi, sipas avokatëve të specializuar në çështjet tatimore, qëndron në faktin se qeveria nuk e sqaroi këtë çështje – dhe nuk e parashikoi reagimin që do të pasonte.

“Mënyra se si u formulua ishte larg të qenit e përsosur. Për shumë njerëz, ishte si një dush i ftohtë,” thotë Raul-Angelo Papotti, partner në firmën ligjore Chiomenti, me seli në Milano.

“Ka argumente të forta për të thënë se kjo nuk vlen për ata që i janë bashkuar regjimit të taksës së sheshtë. Do ta mirëprisnim një sqarim dhe presim që një i tillë të bëhet.”

Të enjten, Stefania Craxi, senatore nga partia Forza Italia – e ish-kryeministrit Silvio Berlusconi – i bëri thirrje qeverisë që ta saktësojë më mirë tekstin e projektligjit gjatë shqyrtimit të tij në parlament.

“Premtimi i dhënë atyre që zgjodhën regjimin [e taksës së sheshtë] për banorët e rinj duhet mbajtur,” tha ajo. “Një shtet serioz nuk i ndryshon rregullat ndërkohë që loja është në zhvillim e sipër.”

Pyetja është nëse qeveria Meloni e ka shkatërruar besueshmërinë e shtetit italian.

Edhe nëse masa nuk ka pasur kurrë për qëllim t’i zërë në grackë të pasurit ekstremë që vijnë në vend, ajo mund të mbjellë një farë dyshimi te ta: a mund t’i besohet Italisë se nuk do t’i ndryshojë rregullat?

Nicola Saccardo, partner në firmën ligjore “Charles Russell Speechlys”, thotë se Meloni është përpjekur më parë të ruajë besimin e atyre që janë zhvendosur rishtazi në Itali, duke shmangur ndryshimet me efekt prapaveprues në regjimin tatimor.

Kur u prezantua për herë të parë taksa fikse (e njohur si *lump-sum flat tax*), Renzi e vendosi atë në nivelin 100,000 euro (86,000 paund) në vit. Meloni e dyfishoi këtë shumë në 200,000 euro në vitin 2024 dhe e rriti më tej në 300,000 euro këtë vit. Megjithatë, ata që janë zhvendosur më herët vazhdojnë të paguajnë tarifën që ishte në fuqi në vitin kur mbërritën.

“Klauzola që ruan kushtet e mëparshme për ata që janë tashmë pjesë e sistemit, është vlerësuar shumë nga klientët. Kjo dëshmon se, nëse ndodh një ndryshim, ai nuk do të prekë ata që janë zhvendosur para se të bëhej ndryshimi. Kjo ofron një stabilitet të madh,” thotë Saccardo.

Të tjerë janë më skeptikë, përfshirë Charlie Sosna-n, kreun e sektorit të pasurisë private dhe taksave në firmën ligjore “Mishcon de Reya”.

“Ata që janë zhvendosur në Itali kanë pasur njëfarë hezitimi lidhur me stabilitetin e regjimit tatimor dhe mundësinë e ndryshimit të tij; veçanërisht kur tarifa fikse u dyfishua brenda natës,” deklaroi ai për “The Telegraph” në fillim të kësaj jave.

Regjimi i taksës fikse gjeneroi 240 milionë euro vitin e kaluar. Ndërkohë, “taksa e largimit” (*exit tax*) parashikohet të sjellë vetëm 3.7 milionë euro vitin e ardhshëm dhe jo më shumë se 6.7 milionë euro në vitet në vijim. Nëse individët e pasur që janë zhvendosur në Itali humbasin besimin te ky regjim, kostoja do të jetë e lartë, duke pasur parasysh të ardhurat modeste që pritet të sigurohen.

Meloni nuk mund të përballojë humbjen e kontributeve tatimore nga familjet jashtëzakonisht të pasura, si dhe të shpenzimeve që ato kryejnë në qytete si Milano.

Ekonomia italiane ka stagnuar vitet e fundit dhe vendi nuk gëzon më atë fluks të madh fondesh nga BE-ja – të destinuara për rimëkëmbjen pas pandemisë – të cilat i dhanë një shtysë të fortë qeverisjes së saj në vitet e para.

Ndërsa vëmendja është përqendruar te Franca, deficiti buxhetor i Italisë mbetet mbi 3% të Prodhimit të Brendshëm Bruto (PBB), ndërsa raporti borxh-PBB qëndron ende në nivelin 137%.

Lorenzo Codogno, nga London School of Economics, thotë se Italia po përballet me faturat gjithnjë e më në rritje për mirëqenien sociale, mbrojtjen dhe sigurinë energjetike, dhe duhet të gjejë me patjetër kursime kostosh ose rritje taksash: “Kjo është qartësisht e kushtueshme politikisht dhe e dhimbshme. Kjo është arsyeja pse qeveria është gjithnjë e më shumë nën presion.”

Megjithatë, Acheson nga Utmost Group thotë se kjo lëvizje e Italisë thjesht e sjell vendin në një linjë me taksat e largimit që ekzistojnë pothuajse kudo tjetër – me përjashtim të Britanisë së Madhe.

Në një farë mënyre, Britania tashmë ka një lloj takse largimi. Kushdo që e zhvendos rezidencën e tij tatimore jashtë Britanisë, përsëri përballet me taksën e trashëgimisë së Mbretërisë së Bashkuar mbi pasuritë e tyre globale deri në një dekadë më pas. Acheson thotë se kjo gjë, dhe jo thjesht heqja e regjimit të statusit “non-dom”, është ajo që ka shtyrë shumë njerëz të pasur të largohen nga Britania.

Për ata që u drejtuan për në Itali, këshilltarët e tyre tatimorë po u thonë se ende mund të marrin frymë lirisht. Por me Melonin që përballet me zgjedhjet vitin e ardhshëm, ata mund ta kenë të vështirë ta largojnë atë farë të re dyshimi që sapo u mbiu. /kapitali