IMG_9788

Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve ka ushtruar një kontroll të befasishëm sot në burgun e Fushë-Krujës.

Siç njofton Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, kontrolli ka nisur në orën 17:30 dhe ka përfunduar në 19:30, me qëllim verifikimin e respektimit të rregullave të sigurisë dhe rendit brenda burgut.

Gjatë kontrollit janë konstatuar dhe sekuestruar 3 telefona celularë, 3 orë/telefona, mjete të improvizuara të mprehta dhe sende të tjera të palejuara.

Sipas autoriteteve, ky aksion është një mesazh i qartë se çdo tentativë për të cenuar sigurinë dhe rregullin në burgje do të goditet menjëherë dhe pa tolerim.

Kontrolle të ngjashme pritet të vijojnë edhe në burgje të tjera në vend, me fokus forcimin e disiplinës dhe parandalimin e sendeve të ndaluara brenda ambienteve të vuajtjes së dënimit.