Kompanitë kryesore ajrore në Europë, përfshirë Ryanair, easyJet dhe Jet2, kanë kërkuar zyrtarisht lehtësim ose pezullim të përkohshëm të sistemit të ri të hyrje-daljeve në Bashkimin Europian, të njohur si EES, për shkak të radhëve të gjata dhe problemeve serioze në aeroportet europiane.
Sipas raportimeve, pasagjerët po përballen me pritje deri në katër orë në kontrollet kufitare, ndërsa në disa raste kanë humbur edhe fluturimet për shkak të vonesave. Situata është konsideruar e papranueshme nga kompanitë ajrore, të cilat paralajmërojnë se sistemi po zbatohet në mënyrë të papërgatitur në kulmin e sezonit turistik.
Ryanair ka reaguar ashpër duke kërkuar nga autoritetet franceze dhe italiane që të ndalojnë përkohësisht kontrollet deri në shtator, duke argumentuar se implementimi aktual po krijon kaos në aeroporte. Kompania thekson se zgjidhja është e parashikuar edhe në kuadrin ligjor të Bashkimit Europian dhe se pezullimi i përkohshëm do të lehtësonte ndjeshëm fluksin gjatë sezonit veror.
Edhe easyJet ka ngritur shqetësime të forta, pasi një prej fluturimeve të saj nga Milano Linate drejt Mançesterit u nis pa 122 pasagjerë, të cilët mbetën të bllokuar në kontrollin e pasaportave.
Kompania kishte paralajmëruar më herët se kontrollet mund të zgjasnin më shumë se zakonisht, por në praktikë edhe pasagjerët që kishin mbërritur tre orë përpara nuk arritën të hipnin në avion.
Sistemi EES hyri plotësisht në fuqi më 10 prill 2026 dhe synon të forcojë kontrollin kufitar për shtetasit jashtë BE-së përmes regjistrimit biometrik dhe dixhital të hyrje-daljeve.
Megjithatë, zbatimi i tij ka nxjerrë në pah mungesë përgatitjeje infrastrukturore dhe burimesh njerëzore në shumë aeroporte.
Si pasojë e radhëve të gjata, autoritetet greke kanë konfirmuar pezullimin e përkohshëm të sistemit për shtetasit britanikë, ndërsa mbetet e paqartë nëse kjo masë do të zgjerohet edhe për kombësi të tjera.
Ndërkohë, Jet2 ka mbështetur këtë vendim dhe ka bërë thirrje që edhe shtetet e tjera të ndjekin të njëjtën qasje gjatë verës.
Situata po krijon presion të shtuar mbi institucionet europiane për të rishikuar mënyrën e zbatimit të EES, në një kohë kur miliona udhëtarë pritet të lëvizin gjatë sezonit turistik, duke rritur rrezikun për vonesa të mëtejshme dhe ndërprerje të fluturimeve.Skyweb



