IMG_9790

Situata e paqartë e konfliktit në Iran e ka vendosur Bankën e Shqipërisë në një dilemë gati të paprecedentë për kursin e politikës monetare, ku nga njëra anë rritja e çmimeve bën presion për rritjen e normës bazë, ndërsa nga ana tjetër ngadalësimi i ekonomisë tërheq në kahun e kundërt. Në këtë situatë, Këshilli Mbikqyrës i BSH vendosi të presë duke e mbajtur të pandryshuar në 2.5 për qind normën bazë të interesit me shpresën se konflikti në Iran do të zgjidhet shpejt dhe se efektet e tij në ekonominë shqiptare do të jenë të përkohshme.

“Përditësimi i parashikimeve të skenarit bazë është bazuar në supozimin e një zgjidhjeje relativisht të shpejtë të konfliktit. Pozicioni i shëndoshë fillestar i ekonomisë shqiptare sugjeron se goditja e çmimeve do të sjellë një rritje të përkohshme të inflacionit mbi objektiv gjatë tremujorëve në vijim. Megjithatë, kjo rritje pritet të jetë e lehtë dhe kalimtare,” tha guvernatori Gent Sejko në përfundim të mbledhjes.

Por BSH theksoi se rreziqet për ekonominë janë rritur dhe pasiguritë janë të larta.
“Konflikti ushtarak dhe tensionet gjeopolitike në Lindjen e Mesme mbeten një burim rreziku dhe pasigurie mbi ekonominë botërore dhe atë shqiptare. Ndikimi i tij në ekonomi dhe në inflacion do të varet dukshëm nga kohëzgjatja dhe intensiteti i konfliktit, duke e zhvendosur balancën e rreziqeve në kahun e sipërm për inflacionin dhe në kahun e poshtëm për rritjen ekonomike në afatin e mesëm,” tha Sejko.

Guvernatori tha se ritmi i rritjes ekonomike do të ngadalësohet lehtësisht, por pritshmëritë janë që trendi afatgjatë i rritjes të mos devijojë nga ritmi natyral.

“Ekonomia shqiptare pritet të ruajë ritme pozitive rritjeje gjatë viteve në vijim, të përafërta me vlerësimet tona për potencialin e zgjerimit të aktivitetit ekonomik. Për momentin, rritja e pasigurisë dhe shtrenjtimi i faturës së importit të naftës pritet të kenë një ndikim negativ, por vetëm margjinal dhe kalimtar, në treguesin e rritjes ekonomike të vitit 2026,” deklaroi Sejko.

Natyra “nis-ndal” e konfliktit në Iran është duke shkaktuar dhimbje koke për të gjitha bankat qendrore. Lufta, armëpushimi, bisedimet e paqes, dështimi i tyre, bllokada detare, heqja, rivendosja e saj, e ka bërë jashtëzakonisht të vështirë vlerësimin e kohëzgjatjes dhe thellësisë së pasojave të krizës dhe po kështu edhe qëndrimin që duhet të mbajnë bankat qëndrore kudo në botë.

Banka Qendrore Europiane, e cila është shtylla orientuese edhe për politikën monetare të Bankës së Shqipërisë, deri më tani i ka rezistuar presioneve për rritjen e normës bazë. Megjithatë, këto presione vazhdojnë të rriten dhe shumë presin që shtrëngimi i politikës monetare në qershor është i paevitueshëm./kapitali.al