Drejtori i revistës katolike amerikane National Catholic Reporter, Michael J. O’Loughlin, ka komentuar përplasjen e fundit mes presidentit amerikan Donald Trump dhe Papa Leonit, duke e quajtur sjelljen e Trump “jologjike”, por duke theksuar se është befasuar nga reagimi i Papës.
Sipas tij, Trump ka zgjedhur të sulmojë Papën në një mënyrë të ngjashme me atë që përdor ndaj çdo lideri politik që e kritikon, duke e kthyer çështjen në një betejë politike të brendshme në SHBA. O’Loughlin thekson se kjo qasje mund të jetë e dëmshme për Trump, pasi përballja me Vatikanin mund të ndikojë negativisht tek votuesit katolikë amerikanë, një grup i rëndësishëm dhe i ndarë politikisht.
Në intervistën për Corriere della Sera, ai shprehet se tensioni ka ndodhur në një moment delikat diplomatik, pak para vizitës në Romë të Sekretarit Amerikan të Shtetit, Marco Rubio, i cili pritej të ulte tensionet mes Shtëpisë së Bardhë dhe Vatikanit. Sipas analistit, Rubio do të përpiqet të ruajë dialogun, duke justifikuar politikat amerikane në çështje ndërkombëtare si Irani, por gjithmonë me respekt për rolin e Papës si lider shpirtëror.
O’Loughlin shton se Rubio ka një pozicion politik të favorshëm brenda Partisë Republikane, pasi kombinon lidhjet me krahun trumpist dhe me një traditë më të moderuar republikane. Ai gjithashtu e lidh këtë dinamikë me garën e ardhshme presidenciale të vitit 2028, ku Rubio shihet si një kandidat potencial, përballë figurave të tjera si zëvendëspresidenti JD Vance.
Pyetje: Për sulmin e ri të Donald Trump ndaj Papa Leonit, bie në sy zgjedhja e kohës: pikërisht në prag të ardhjes në Romë të ministrit të tij të jashtëm, Marco Rubio, i cili duhej të ulte tensionin Vatikan–Shtëpia e Bardhë. A ka humbur Trump përsëri sensin e masës? Dhe si reagon bota katolike amerikane ndaj ofensivës së Trump?
Përgjigje (Michael J. O’Loughlin):Përgjigje perfekte e Papës, i kujton Presidentit misionin e tij si lider fetar, por Trump ka zgjedhur ta trajtojë Papën si çdo lider tjetër politik që e kritikon në vendimet e tij: shkon menjëherë në sulm, është i bindur se kjo i sjell përfitim në planin elektoral të brendshëm, por këtu bën përsëri një gabim dhe është recidiv: të bësh armiq katolikët nuk është ide e mirë. Mendoj gjithashtu se e bën, sepse Papa është amerikan dhe ka pëlqyeshmëri më të lartë se ai brenda vendit, ndjen frymën e konkurrencës, gjithçka është shumë jologjike, por kjo është natyra e Trump”
Pyetje: Kur bëhet i vështirë misioni i Rubio-s?
Përgjigje: Sigurisht Presidenti nuk i ka bërë një favor! Por sensi i misionit nuk ndryshon. Trump është impulsiv, por nuk do përshkallëzim. Misioni i Sekretarit të Shtetit është më i rëndësishëm se deklaratat agresive të përsëritura të Trump. Vetë fakti që takimi po ndodh tregon se si Vatikani ashtu edhe Shtëpia e Bardhë duan të përmirësojnë raportet
Pyetje: Çfarë linje do të zgjedhë Rubio?
Përgjigje: Rubio është shumë besnik ndaj Trump, do të përpiqet të ulë tensionin dhe të shpjegojë, të justifikojë vendimet amerikane mbi Iranin dhe çështjet ndërkombëtare. Do ta bëjë me respektin e duhur, duke njohur ndryshimin e roleve mes misionit të Kishës dhe liderit të saj shpirtëror dhe atij të presidentit amerikan që përballet me sfida ushtarake dhe ekonomike. Mendoj se do të shkojë mirë, ata kanë në përbashkët kulturën amerikane dhe latino-amerikane, kush e di, ndoshta përfundojnë duke folur spanjisht.
Pyetje: Ka edhe një aspekt të politikës së brendshme?
Përgjigje: Po, Rubio është thellësisht katolik dhe përfaqëson votën e një komuniteti të madh katolik latino-amerikan. Ai do të tregojë afërsi me Papën edhe në funksion të zgjedhjeve presidenciale të vitit 2028. Ai është shfaqur si një nga kandidatët kryesorë republikanë, alternativa më e besueshme ndaj JD Vance, zëvendëspresidentit. Rubio është përpara Vance sepse mund të ndjekë një linjë të dyfishtë politike: është pjesë e botës trumpiste por edhe e një koalicioni më tradicional republikan. Zëvendëspresidenti është shfaqur vetëm përmes MAGA-s dhe trumpizmit
Pyetje: A ju surprizoi që Papa Leoni zgjodhi t’i përgjigjej Trump?
Përgjigje: Po, duhet të them që më surprizoi. Qasja e papatit të tij deri tani ka qenë më e kujdesshme, institucionale. Papa Françesku kishte reagime më të drejtpërdrejta krahasuar me stilin e Papa Leonit.
Pyetje: Si e shpjegoni ndryshimin?
Përgjigje: Më shumë sesa ta shpjegoj, e shoh si tregues të një stili të ri që është i aftë të hyjë, kur është e nevojshme, në përplasje direkte, që nuk priteshin. Fillimisht në Amerikë, roli i debatit për tema delikate dukej se i përkiste kryeipeshkvijve dhe peshkopëve lokalë. Tani Papa ka bërë të qartë se edhe ai synon të jetë aktor i drejtpërdrejtë në dialogun politik amerikan kur provokohet. Dhe kjo është një gjë e rëndësishme
Pyetje: Çfarë dallimi politik shihni mes katolikëve dhe ungjillorëve?
Përgjigje: Të krishterët ungjillorë janë më të lidhur me trumpizmin. Ata janë pjesë e një baze elektorale prej rreth 40% që e mbështet presidentin në çdo rast. Katolikët janë ndryshe. Për 80 milion katolikë, feja është më e rëndësishme. Katolikët janë përgjithësisht më të prirur ndaj drejtësisë sociale, duan të mbrojnë emigrantët dhe lëvizin mes demokratëve dhe republikanëve. John Kennedy, presidenti i parë katolik, ishte demokrat.
Pyetje: A e dëmton apo e ndihmon Trump-in kjo përplasje me Papën në zgjedhje?
Përgjigje: Sigurisht që përplasja me Papën e dëmton dhe vazhdon ta dëmtojë. Por kam arritur në një përfundim: duke qenë se sjellja e tij e ashpër dhe e drejtpërdrejtë shpesh e ka ndihmuar në të kaluarën, dhe duke qenë se nuk mund të kandidojë më në 2028, ai ndihet më i lirë të shprehë personalitetin e tij më të thellë dhe agresiv. Sot Trump po kërkon të bëjë histori për veten, mendon më shumë për trashëgiminë e tij presidenciale sesa për votën republikane. Kjo shihet jo vetëm në luftën kundër Iranit, por edhe në ndryshime simbolike si në Shtëpinë e Bardhë apo në Kennedy Center, dhe në aktivitete të tjera të lidhura me 250-vjetorin e SHBA-ve
Pyetje: Për 250-vjetorin kishte edhe një ftesë që Papa të vinte për ta festuar, por ai nuk e pranoi. Pse?
Përgjigje: Mendoj se Papa Leoni ka dashur të qëndrojë larg polemikave elektorale, sidomos për shkak të origjinës së tij amerikane. Nuk ka ndodhur kurrë që Vatikani të planifikojë një vizitë papale përpara zgjedhjeve.


