IMG_0108

Pas një hetimi 2-vjeçar që shtrihet nga Tirana në Vjenë dhe përfshin dhjetëra persona, qindra qytetarë europianë të mashtruar dhe miliona euro të zhdukura përmes platformave të rreme online, Gjykata e Tiranës ka firmosur masën “arrest me burg” për Granit Pepnikën, një nga emrat kryesorë të identifikuar në dosjen e call centerave.

Hetimi i përbashkët me autoritetet austriake ka zbuluar një skemë të sofistikuar mashtrimi kompjuterik dhe pastrimi parash, ku sipas prokurorisë janë përdorur struktura të organizuara që funksiononin si kompani legjitime, por që dyshohet se përfituan mbi 50 milionë euro nga qytetarë të vendeve të Bashkimit Europian.

Me kërkesë të prokurorisë, Gjykata e Tiranës ka caktuar masën e sigurisë “arrest me burg” për Granit Pepnikën, bosin e call centerave, që u identifikua në kuadër të një hetimi të përbashkët me autoritetet austriake.

Mbi bazën e vendimit është firmosur edhe urdhri i arrestit për Pepnikën, i cili po hetohet për mashtrim kompjuterik dhe pastrim parash dhe ai është shpallur në kërkim ndërkombëtar.

Pepnika rezulton se zotëronte 50 për qind të aksioneve të kompanisë “Gama Media Communication”, që e themeloi bashkë me ortakun e tij, Jurgen Mela, më 3 korrik 2021. Kompania e pezulloi statusin pas më shumë se 8 muaj e gjysmë aktivitet.

Nga hetimet 2-vjeçare rezultoi se ishin mashtruar qindra qytetarë europianë dhe dyshohet se kanë përfituar më shumë se 50 milionë euro. /VNA.AL