Një ngjarje e rëndë ka tronditur ishullin e Kretës, ku një turist izraelit 35-vjeçar është vënë në pranga në fundjavë, pasi dyshohet se ka ndezur një skarë në oborrin e një vile me qira, duke shkaktuar një zjarr pyjor masiv.
Sipas medias greke, indiferenca e turistit ndaj rregullave dhe sigurisë publike kanë vënë në rrezik jetën e banorëve dhe pasurinë e një rajoni të tërë.
Sipas raportimeve të mediave vendase dhe hetimeve paraprake të Shërbimit Zjarrfikës, ngjarja ka ndodhur të premten në orën 19:11, pranë fshatit Sellia, afër zonës turistike të Plakias në komunën Agios Vasileios.
Pronari i vilës kishte qenë mëse i qartë, duke u tërhequr vërejtjen mysafirëve që në momentin e mbërritjes se, për shkak të rrezikut të lartë të zjarrvënies dhe erërave të forta, përdorimi i skarës ishte rreptësisht i ndaluar.
Madje këto udhëzime u ishin dhënë atyre edhe me shkrim. Por pavarësisht rrezikut dhe paralajmërimeve, turisti dhe grupi i tij vendosën t’i shpërfillnin rregullat dhe shkëndijat nga skara, të ndihmuara nga erërat e forta, ranë mbi barishtet e thata aty rrotull dhe përhapën flakët me shpejtësi të frikshme në zonën përreth.
Ky akt vuri në lëvizje qindra forca të emergjencës, ku mbi 60 zjarrfikës, tre njësi speciale për zjarret pyjore, dhjetëra automjete, helikopterë zjarrfikës, cisterna uji dhe vullnetarë u mobilizuan në terren.
Ndërsa përmes sistemit kombëtar të emergjencës “112” u dha alarmi dhe u urdhërua evakuimi parandalues i banorëve dhe turistëve në komunitetet e Fotinari-t dhe Souda-s, duke bërë që zjarrfikësit ta vinin situatën nën kontroll pas rreth katër orësh.
Ky incident ndodh në një periudhë tejet të ndjeshme për Greqinë, e cila po përballet me një sezon katastrofik zjarresh, pasi vetëm dy javë më parë i njëjti rajon i Rethymno-s u shkrumbua nga një ndër zjarret më të rënda të verës.
Në atë rast u dogjën rreth 45.000 dynymë tokë brenda dy ditësh, mbi 8.000 banorë dhe turistë u detyruan të evakuohen urgjentisht, dhe dy zjarrfikës humbën jetën në detyrë duke u përballur me flakë të fuqizuara nga erërat që arrinin deri në 100 kilometra në orë.
Duke u përballur me pasojat e rënda të këtyre tragjedive, autoritetet greke kanë vendosur një politikë të tolerancës zero ndaj çdo shkeljeje të rregullave të parandalimit të zjarreve, ku në ditët me rrezik të lartë ndezja e skarave, djegia e mbetjeve bimore apo çdo aktivitet që prodhon shkëndija është rreptësisht i paligjshëm dhe ndëshkohet me gjoba marramendëse dhe ndjekje penale.
Turisti 35-vjeçar pritet përballet me pasojat e rënda ligjore të veprimit të tij.



