898980865_1774216920302653_3311934008703561923_n-1536x864

Ndërtimi i një resorti turistik në një sipërfaqe prej rreth 146 hektarësh në Baks-Rrjoll dhe pretendimet për tjetërsimin e tokave përmes dokumenteve të falsifikuara, me përfshirjen e mundshme të funksionarëve publikë, do të hetohen tani nga SPAK.

Pas protestash dhe kallëzimesh penale, banorët e zonës morën një vendim në favor të tyre nga Gjykata e Posaçme e Shkallës së Parë për Korrupsionin dhe Krimin e Organizuar, e cila më 23 shtator urdhëroi SPAK-un të regjistrojë procedimin penal dhe të vijojë hetimet.

Hetimi lidhet me kallëzimin e paraqitur pranë Prokurorisë së Posaçme më 2 korrik 2026 nga banorët e Rrjollit Prekë Molla, Alban Malaj, Pllumb Keçanaj dhe Luçiana Kokaj. Në të ngrihen dyshime për shpërdorim detyre, korrupsion aktiv dhe pasiv të personave që ushtrojnë funksione publike, falsifikim dokumentesh, pastrim të produkteve të veprës penale dhe bashkëpunim në kuadër të një grupi të strukturuar kriminal.

Sipas banorëve, kjo tokë ka qenë për dekada pjesë e jetës dhe e aktivitetit ekonomik të komunitetit lokal. Më pas ajo rezulton e kaluar në pronësi të shtetasit Fatmir Shpellza, i cili e ka shitur.

Gjashtë ditë pas depozitimit të kallëzimit, më 8 korrik 2026, SPAK deklaroi mungesën e kompetencës lëndore dhe e përcolli materialin në Prokurorinë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Shkodër.

SPAK arsyetoi se pretendimet e kallëzimit lidheshin me veprat penale të falsifikimit të dokumenteve dhe shpërdorimit të detyrës. Banorët e kundërshtuan këtë vlerësim, duke argumentuar se Prokuroria e Posaçme kishte trajtuar vetëm një pjesë të pretendimeve, pa analizuar veprat e tjera penale të referuara në kallëzim.

Sipas kallëzuesve, çështja kërkonte verifikimin e një zinxhiri veprimesh: krijimin dhe ndryshimin e pasurive kadastrale, ndërhyrjet në dokumentacionin shtetëror, kalimin e të drejtave te subjektet private dhe përdorimin e pronave në projekte me vlera të konsiderueshme. Një proces i tillë, pretendojnë ata, nuk mund të realizohej nga një person i vetëm, por mund të ketë kërkuar bashkëpunimin e disa personave dhe institucioneve, në faza të ndryshme administrative dhe gjyqësore.

Për këtë arsye, kallëzuesit iu drejtuan GJKKO-së. Pas shqyrtimit të kërkesës, Gjykata e Posaçme e pranoi atë dhe urdhëroi SPAK-un të regjistrojë procedimin penal dhe të vijojë hetimet për dyshimet mbi tjetërsimin e tokës në Baks-Rrjoll, Velipojë.

12 shtator 2026, banorët në protestë: Baks-Rrjoll, Velipojë

Dy kallëzime penale për projektin turistik në Baks-Rrjoll

Në Baks-Rrjoll është planifikuar ndërtimi i resortit turistik “Blue Borgo”, i njohur tashmë si “Baks Bay”, me zhvillues shoqërinë “ABA Blue Borgo” sh.p.k.

Sipas lejes së ndërtimit, projekti parashikon 33 struktura akomoduese dhe shërbimi, një hotel dhe tri struktura social-kulturore. Sipërfaqja e përgjithshme e ndërtimit arrin në rreth 404 mijë metra katrorë mbi tokë dhe 150 mijë metra katrorë nën tokë.

Zona është përdorur ndër vite nga banorët për kullota, pylltari dhe veprimtari bujqësore. Zhvillimi i resortit ka sjellë kundërshtime nga komuniteti, i cili ndër të tjera thotë se nuk është konsultuar publikisht për projektin.

Për projektin janë paraqitur dy kallëzime penale. Ndonëse lidhen me të njëjtin territor, ato përqendrohen në aspekte të ndryshme.

Kallëzimi i banorëve të Rrjollit fokusohet te tjetërsimi i pronave, origjina e dokumentacionit të pronësisë dhe përfshirja e mundshme e funksionarëve publikë. Ai ngre edhe çështjen e taksës së ndikimit në infrastrukturë, e cila, sipas kallëzuesve, duhej të ishte paguar në favor të Bashkisë Shkodër për projektin e miratuar nga Këshilli Kombëtar i Territorit.

Sipas avokatit të Luçiana Kokajt, Klodjan Reçi, vlera e kësaj takse arrinte në rreth 8 milionë euro. Gjatë seancës gjyqësore, ai deklaroi se banorët i ishin drejtuar disa herë Bashkisë Shkodër për informacion mbi pagesën dhe kishin marrë përgjigjen se ajo nuk ishte kryer.

“Ne mendojmë se kjo lloj çështje për nga natyra është një skemë e pastër korruptive për tjetërsimin e pronave publike e private. Ne kemi siguruar të dhëna dhe informacione të vlefshme, të cilat kanë qenë të vlefshme për fillimin e një çështjeje penale”, u shpreh në seancë avokati.

Kallëzimi tjetër, i depozituar më 12 gusht nga një grup ekspertësh dhe protestuesish, nuk ndalet vetëm te Blue Borgo. Ai është drejtuar ndaj kryeministrit Edi Rama, funksionarëve të tjerë publikë dhe subjekteve private të përfshira në tre projekte turistike: në Zvërnec, në Rrjoll dhe në Divjakë-Karavasta. Për rastin e Baks-Rrjollit, kallëzimi ngre pikëpyetje për mënyrën e miratimit të projektit, statusin e investitorit strategjik dhe ligjshmërinë e punimeve të kryera në territor. Mbi bazën e këtij kallëzimi, SPAK ka regjistruar më 10 shtator 2026 procedimin penal nr. 97, i cili ndodhet aktualisht në hetim.

Më 17 dhjetor 2024, Këshilli Kombëtar i Territorit miratoi me kusht lejen e ndërtimit dhe rregulloren e veçantë për resortin. Vendimi mban firmën e kryeministrit Edi Rama, në cilësinë e kryetarit të KKT-së, dhe të ministres së Infrastrukturës dhe Energjisë, Belinda Balluku.

Më 31 dhjetor 2024, projektit iu akordua statusi “Investitor strategjik – Procedurë e veçantë”, për realizimin e një strukture akomoduese me pesë yje.

Më 15 janar 2026, Agjencia e Zhvillimit të Territorit lëshoi lejen e ndërtimit. Kallëzuesit dyshojnë se punimet në territor kanë nisur përpara kësaj date dhe kërkojnë verifikimin e kohës së fillimit të tyre, si dhe të veprimeve ose mosveprimeve të institucioneve përgjegjëse për kontrollin e territorit.

Kështu, për të njëjtin projekt tashmë janë hapur dy hetime: njëri për tjetërsimin e pronave, tjetri për procedurat e miratimit dhe ligjshmërinë e punimeve. /ctizens.al