Rreth një muaj pas protestave të njohura si “revolucioni i flamingove”, qeveria ka nisur shpërndarjen e bonusit veror prej 5 mijë lekësh të reja për pensionistët.
Lajmi u bë i ditur nga kryeministri Edi Rama gjatë një takimi me pensionistët, ku ai theksoi se fondi për bonusin është krijuar nga të ardhurat shtesë të mbledhura si pasojë e rritjes së çmimit të naftës gjatë luftës në Iran. Sipas Ramës, këto të ardhura nuk janë mbajtur në buxhet, por do t’u kalojnë pensionistëve.
“Vitin e kaluar thanë se bonusi po jepej për fushatë. Këtë vit nuk kemi fushatë. Bonusi nuk ka lidhje me asgjë tjetër, përveç vëmendjes që u kemi premtuar pensionistëve. Të gjitha të ardhurat që erdhën nga rritja e çmimit të naftës do t’i merrni ju”, deklaroi kryeministri.
Rama njoftoi gjithashtu se përfitime do të kenë edhe personat me aftësi të kufizuara. Ai bëri të ditur se do të nisë dyfishimi i ndihmës ekonomike për këtë kategori, ndërsa shteti do të marrë përsipër pagesën e sigurimeve shoqërore për kujdestarët e tyre.
Shpërndarja e bonusit nis në një periudhë kur qeveria ka kaluar javë të tëra nën presionin e protestave qytetare kundër politikave të saj, ndërsa ekzekutivi këmbëngul se masa është pjesë e politikave sociale dhe jo e një kalendari politik.



