Kursimet e qytetarëve në banka do të jenë të garantuara nga shteti deri në 6 milionë lekë, nga 2.5 milionë lekë që është kufiri aktual.
Ministria e Financave ka propozuar një projektligj, i cili rrit me gati dy herë e gjysmë shumë e depozitave që shteti u garanton qytetarëve në rast të një krize apo falimentimi bankar.
Nisma e re ligjore, e cila vjen si detyrim në kuadër të anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian dhe përafrimit të plotë me legjislacionin e tij deri në vitin 2027 (Kapitulli 9, “Shërbimet Financiare”), synon të forcojë sigurinë e sistemit financiar përballë krizave të mundshme dhe të zgjerojë gamën e personave që mbrohen nga shteti.
Ndryshimi më i rëndësishëm që prek drejtpërdrejt xhepat e shqiptarëve është rritja graduale e tavanit të sigurimit të depozitave në banka, nga 2.5 milionë lekë që është aktualisht, në 6 milionë lekë.
Për shoqëritë e kursim-kreditit (SHKK), kufiri do të mbetet i pandryshuar në 2 milionë lekë deri në momentin e futjes së vendit në BE, ku më pas garancia për të dyja kategoritë do të unifikohet në kundërvlerën e 100 mijë eurove.
Paratë e divorcit dhe shitja e shtëpisë nuk preken
Por rritja e mbulimit nuk është risia e vetme e projektligjit. Për raste të caktuara shuma e garancisë shkon deri në 15 milionë lekë ose rreth 165 mijë euro. Por cilat janë këto raste?
Që të përfitosh këtë mbrojtje maksimale prej 15 milionë lekësh, duhet të plotësohen dy kushte kryesore. Së pari, paratë duhe të kenë hyrë në llogarinë bankare, brenda 6 muajve të fundit përpara se banka të falimentojë apo të bllokohet. Prandaj quhet “e përkohshme”, sepse ligji supozon që ato janë para që thjesht po kalonin tranzit në llogarinë e qytetarit.
Kushti i dytë ka të bëjë me burimin e parave. Paratë, të cilat vijnë nga shitja e shtëpisë, ato që merren nga trashëgimia dhe di nga ndarja e pasurisë pas divorcit mbulohen deri në 15 milionë lekë.
Po kështu brenda kësaj kategorie mbulimi futen edhe paratë e dëmshpërblimeve për heqje të padrejtë nga puna, ato për aksidentet në punë apo shumat që vijnë nga dëmshpërblimi për një dënim të gabuar penal. Paralelisht deri në 15 milionë lekë do të garantohen edhe paratë e përfituara nga shoqëritë e sigurimeve si kompesim për aksidentet apo dëmet.

Pra në rast se një qytetar shet shtëpinë për 15 milionë lekë dhe paratë kalohen nga blerësi në bankë, shteti e garanton plotësisht këtë shumë, nëse transaksioni ka ndodhur deri në 6 muaj para falimentimit të bankës.
Rritje primesh për ASD
Për të përballuar këto përgjegjësi të reja financiare, Agjencia e Sigurimit të Depozitave (ASD) do të ndryshojë mënyrën e vjeljes së fondeve.
Projektligji i ri shfuqizon sistemin aktual me tarifë fikse dhe, duke filluar nga viti 2027, bankat që ndërmarrin rreziqe më të larta do të paguajnë prime më të larta vjetore, ndërsa bankat e kujdesshme do të paguajnë më pak.
Sipas ligjit aktual në fuqi, norma aktuale e primit për bankat është 0.075 për qind në tremujor ose rreth 0.3% në vit e mesatares së shumës së depozitave të siguruara. Me hyrjen në fuqi të ligjit të ri, primi që paguajnë bankat do të jetë i ndryshueshëm në varësi të riskut që ato klasifikohen.
Huamarrja apo garancia nga Buxheti i Shtetit në rast krizash do të konsiderohet vetëm si zgjidhja e fundit ekstreme, pasi më parë agjencia duhet të konsumojë huatë e brendshme nga vetë bankat ose mes fondeve që administron.



