Një polic në Shkozë është plagosur me armë gjatë natës ndërsa ndodhej jashtë shërbimit.
Anxhelo Kumaraku është transportuar në spital dhe është jashtë rrezikut për jetën. Sipas burimeve, 30-vjeçari është plagosur në këmbë.
Anxhelo Kumaraku ndodhej pranë banesës së tij, i shoqëruar nga një fqinj, një person me masë në “arrest shtëpie” për armëmbajtje pa leje. Dyshohet se objektiv i atentatit ka qenë pikërisht fqinji i efektivit, ndërsa ngjarja dyshohet të ketë lidhje me prishje pazare droge me persona të tjerë.
Ende nuk dihet pse efektivi ishte në shoqërinë e këtij personi, i cili ndodhej në “arrest shtëpie” dhe në momentin e ngjarjes kishte shkelur vendimin e gjykatës. Ndërkohë, Kumaraku nuk e kishte njoftuar policinë për thyerjen e masës së sigurisë nga ana e fqinjit.
Policia po punon për zbardhjen e ngjarjes dhe identifikimin e autorëve.
Njoftimi i policisë:
Më datë 18.05.2026, rreth orës 00:10, në zonën e Shkozës, në rrethana ende të paqarta, është plagosur, dyshohet me armë zjarri, shtetasi A. K., rreth 30 vjeç, punonjës policie jashtë shërbimit.
30-vjeçari është transportuar në spital dhe ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Menjëherë pas marrjes së njoftimit, shërbimet e Policisë kanë ngritur pika kontrolli dhe po vijojnë kontrollet intensive në zonë, me qëllim kapjen e autorit/ëve.
Grupi hetimor dhe Agjencia e Mbikëqyrjes Policore (AMP), nën drejtimin e Prokurorisë, ndodhen në vendngjarje dhe po punojnë për sqarimin e plotë të rrethanave, identifikimin e autorit/ëve dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes.



