IMG_0094

Kina është zotuar të blejë të paktën 17 miliardë dollarë produkte bujqësore të SHBA-së në vitet 2026, 2027 dhe 2028, tha Shtëpia e Bardhë në një dekalratë informuese të lëshuar të dielën.

Ky zotim u mor gjatë takimeve mes presidentit të SHBA-së, Donald Trump, dhe atij kinez, Xi Jinping, javën e kaluar, njoftoi Shtëpia e Bardhë.

Shifra prej 17 miliardë dollarësh nuk përfshin zotimet për blerjen e sojës që Kina bëri në tetor të vitit 2025, specifikoi Shtëpia e Bardhë.

Eksportet bujqësore të SHBA-së drejt Kinës kanë pësuar një rënie të theksuar pasi raundet e tarifave të ndërsjella të vitit të kaluar kufizuan ashpër tregtinë, e cila ra me 65.7% nga viti në vit, duke zbritur në 8.4 miliardë dollarë në vitin 2025, sipas të dhënave të Departamentit të Bujqësisë së SHBA-së.

Kina e ka ulur në mënyrë dramatike varësinë e saj nga mallrat bujqësore të SHBA-së që nga mandati i parë i Trump-it; ajo siguroi rreth 20% të sojës së saj nga SHBA-ja në vitin 2024, një rënie e madhe kjo krahasuar me 41% që ishte në vitin 2016.

Kina do bashkëpunojë me rregullatorët e SHBA-së për të hequr pezullimet ndaj thertoreve të mishit të gjedhit amerikan dhe për të rinisur importet e shpendëve nga ato shtete të SHBA-së që përcaktohen si të pastra nga gripi i shpendëve, bëri me dije Shtëpia e Bardhë.

Duke konfirmuar deklaratat e mëparshme të qeverisë kineze, Shtëpia e Bardhë tha gjithashtu të dielën se dy ekonomitë më të mëdha në botë do themelojnë “Bordin e Tregtisë SHBA-Kinë” dhe “Bordin e Investimeve SHBA-Kinë”.

Këto borde do zgjidhin shqetësimet mbi qasjen në treg për prodhimet bujqësore dhe do zgjerojnë tregtinë “nën një kuadër të ndërsjellë të uljes së tarifave”, tha ministri i Jashtëm kinez, Wang Yi, në një deklaratë javën e kaluar, shkruan Reuters.