IMG_2599

Një 20-vjeçar, pjesëtar i Forcave të Armatosura, u vra me armë zjarri pasditen e së shtunës, 8 gusht, në lagjen nr. 14 të Korçës. Viktima është identifikuar si Johan Zuko, ndërsa si autor i dyshuar është shpallur në kërkim Kristjan Sterjo, i cili sipas të dhënave të deritanishme kishte njohje të hershme me viktimën.

Ngjarja dyshohet se ka ardhur pas një konflikti mes dy të rinjve. Sipas informacioneve paraprake të hetimit, Zuko dhe Sterjo kanë qenë shokë dhe janë rritur së bashku, por mes tyre kishte lindur një konflikt që këtë të shtunë përfundoi tragjikisht.

Të dhënat e mbledhura deri tani tregojnë se 20-vjeçari është ndjekur nga autori i dyshuar deri në lagjen ku ndodhi krimi. Johan Zuko nuk ishte banor i zonës dhe dyshohet se, në përpjekje për t’i shpëtuar ndjekjes, ka hyrë në një pallat për t’u fshehur.

Por autori dyshohet se ka hyrë pas tij në godinë. Ndërsa Zuko po ngjiste shkallët, ai është qëlluar nga pas me armë zjarri, që sipas të dhënave paraprake dyshohet të ketë qenë kallashnikov. 20-vjeçari ka mbetur i vrarë në katin e tretë të pallatit, pranë derës së një prej apartamenteve.

Banorët e pallatit kanë treguar se fillimisht kanë dëgjuar një zhurmë të fortë, pa kuptuar se bëhej fjalë për të shtëna dhe një vrasje. Një prej banoreve tha se mendoi se dikush ishte rrëzuar në shkallë dhe doli nga apartamenti për të parë nëse kishte nevojë për ndihmë.

Kur mbërriti në katin e tretë, ajo gjeti të riun të shtrirë përtokë dhe të gjakosur, ndërsa një tjetër banore kërkonte që të njoftoheshin menjëherë Policia dhe ambulanca. Sipas dëshmisë së saj, viktima nuk njihej nga banorët dhe nuk jetonte në atë pallat.

Pas krimit, autori i dyshuar është larguar dhe deri në mbrëmje vijonte të ishte në arrati. Policia ka identifikuar Kristjan Sterjon si personin e dyshuar për vrasjen dhe ka nisur një operacion të gjerë për lokalizimin dhe kapjen e tij.

Në operacion janë përfshirë forca të shumta policore dhe efektivë të RENEA-s. Kontrollet janë shtrirë edhe në banesën e Sterjos, por gjatë ndërhyrjes ai nuk është gjetur aty.

Në disa pika janë ngritur postblloqe, ndërsa kontrollet po vazhdojnë në zonë dhe në akset ku dyshohet se mund të jetë larguar 20-vjeçari. Hetuesit po sekuestrojnë gjithashtu pamjet e kamerave të sigurisë pranë vendit të krimit dhe përgjatë itinerarit që dyshohet se ka ndjekur autori pas vrasjes.

Sipas informacioneve të deritanishme, Kristjan Sterjo rezulton person me precedentë penalë, konkretisht për armëmbajtje pa leje dhe plagosje.

Grupi hetimor po punon ndërkohë për të përcaktuar motivin dhe dinamikën e plotë të konfliktit mes dy të rinjve, përfshirë atë që ka ndodhur përpara ndjekjes së viktimës dhe vrasjes së tij brenda pallatit.

Johan Zuko ishte vetëm 20 vjeç dhe pjesëtar i Forcave të Armatosura. Hetimet për vrasjen vazhdojnë, ndërsa operacioni i Policisë dhe RENEA-s është përqendruar në gjetjen dhe arrestimin e Kristjan Sterjos, i cili në këtë fazë të hetimeve konsiderohet autori i dyshuar i krimit./gazetajonë