Tetë qarqe të vendit do të përballen këtë fundjavë me rrezik të lartë për përhapjen e zjarreve, ndërsa temperaturat pritet të arrijnë deri në 39 gradë Celsius.
Paralajmërimi vjen nga Instituti i Gjeoshkencave përmes Buletinit të Rreziqeve, i cili thekson se kushtet atmosferike favorizojnë përhapjen e flakëve, veçanërisht në Ultësirën Perëndimore.
Sipas institutit, qarqet më të ekspozuara ndaj rrezikut janë Lezha, Durrësi, Tirana, Elbasani, Fieri, Berati, Gjirokastra dhe Vlora. Ndërkohë, në Shkodër, Kukës, Dibër dhe Korçë rreziku vlerësohet më i ulët, por në disa zona të veçanta pritet të jetë gjithashtu i lartë.

Ndërkohë, Agjencia për Media dhe Informim bën me dije se zjarret në Dajt dhe në Priskë janë shuar plotësisht. Ndërkohë, në disa qarqe të tjera po vijojnë ndërhyrjet e strukturave vendore dhe Forcave të Armatosura për kontrollin e situatës. Në zonën e Çikalleshit në Kavajë dhe në Mallakastër, flakët janë izoluar dhe situata paraqitet nën kontroll.
Edhe në Plan të Bardhë në Klos, autoritetet raportojnë se gjendja është stabilizuar. Në Kostren 2 të Beratit dhe në Uruç të Peqinit, zjarret janë shuar pas ndërhyrjes së forcave operacionale.
Ndërkohë, në Alikomemaj të Memaliajt vijon puna për shuarjen e një vatre ende aktive.
Autoritetet theksojnë se operacionet do të vijojnë deri në neutralizimin përfundimtar të të gjitha vatrave të zjarrit.



