Paga mesatare në vend në 2025-n arriti në 84 mijë lekë. Por jo të gjithë paguhen njësoj, ndonëse kanë të njëjtin profesion.
Një burrë u pagua mesatarisht 86 mijë lekë bruto në muaj në vitin 2025, sipas të dhënave të publikuara nga INSTAT. Femrat vijojnë të paguhen më pak, me një rrogë mesatare prej 82 mijë lekësh, ose 4.5% më pak sesa meshkujt.
Gjithsesi, hendeku mes pagave ka arritur nivelin më të ulët, që nga viti 2014, kur INSTAT raporton të dhënat. Një vit më parë diferenca ishte 4.9%, ndërsa në 2014-2019, burrat paguheshin mesatarisht 10-11% më shumë sesa gratë.
Nga 36 grup profesione që raporton INSTAT, vetëm në tre prej tyre gratë paguhen më shumë, në 33 të tjera dominojnë burrat me diferenca që arrijnë deri në 50%.
Diferencën e bëjnë gratë drejtuese
“Drejtuesit administrativë dhe komercialë” kishin pagën mesatare mujore bruto më të lartën në vend, me 223 mijë lekë. Ndryshe nga pjesa më e madhe e profesioneve në vend, në drejtim, gratë paguhen më mirë sesa meshkujt. Një drejtuese merrte mesatarisht 132 mijë lekë në muaj, përkundrejt homologut mashkull prej 214 mijë lekë, ose 8% më shumë.
Edhe shteti “trajton” më mirë gratë se burrat. Paga mesatare për gratë në grupin “Ligjvënës, nëpunës të lartë të administratës shtetërore dhe drejtorë ekzekutivë” ishte 126 mijë lekë, ose 9% më shumë sesa meshkujt.
Profesioni i tretë, ku femrat marrin pagë më të lartë është “Punëtorë shërbimi dhe ndihmës”, me një pagë prej 52 mijë lekësh, ose 3% më të lartë.
Profesioni që ka diferencën më të madhe, ku burrat paguhen më shumë është ai në bujqësi. Ndërsa paga për burrat në grupin “Prodhues të produkteve bujqësore, blegtorale, të peshkimit për nevoja familjare” paguhen me 85 mijë lekë, femrat që punojnë në bujqësi marrin gjysmën, vetëm 42 mijë lekë, që është dhe paga më e ulët në vend.
Edhe në fushën e shëndetësisë, burrat paguhen 13% më shumë, me 120 mijë lekë, përkundrejt 104 mijë lekë për gratë.
Të diskriminuara janë dhe mësueset, që marrin 12% më pak se meshkujt (përkatësisht 110 mijë lekë dhe 107 mijë lekë).
Specialistët e IT tani marrin më shumë se drejtuesit e prodhimit
Prej disa vitesh, profesioni i “Specialistë të teknologjisë së informacionit dhe komunikimit” është i dyti më i paguari në vend, (pas drejtuesve administrativë dhe komercialë) me 173.5 mijë lekë në muaj (meshkujt paguhen me 175 mijë lekë dhe femrat me 171 mijë lekë).
Ky profesion po paguhet më shumë dhe se drejtuesit e prodhimit, që renditen të tretët, me 172.5 mijë lekë (178 mijë meshkujt dhe 168 mijë lekë femrat).
Ndërsa profesioni që paguhet më pak në vend është ai i “Punëtorë për shitje dhe shërbime të ndryshme në rrugë”, i veptmi që ka një pagë mesatare nën 50 mijë lekë, me burrat që marrin 50.4 mijë lekë dhe gratë 46 mijë lekë.
Për pagat mujore bruto për të 36 grup profesionet shiko grafikun më poshtë./monitor.al



