Detaje të reja janë zbuluar lidhur me skemën e mashtrimit online të goditur nga policia e Fierit që funksiononte si një firmë piramidale, ku u vunë në pranga 6 persona dhe dy të tjerë u shpallën në kërkim. Referuar dosjes hetimore, mësohet se një nga lokalet që reklamonte XUEX ishte bar-restoranti “La Bonta” në qytetin e Lushnjës, në rrugën “Shëtitorja e Palmave”.
Në hyrje të këtij subjekti në pjesën e vitrinës së xhamit ishin të ngjitura dy postera, të cilët reklamonin platformën “Xuex”. Në njërën reklamë eshte postuar “EG Group Investment XUEX “Investim një here = Përfitime të Perjetshme”. Po ashtu edhe tek reklama tjetër shkruhej “EG Group Investment XUEX. “Projekt investimi afagjatë, Punë ekipore, Sinjale tregtare, Shumë shpërblime”. Në ambjentin e përshkruar sipas të dhënave bëhen investime në platformën “Xuex”, e cila dyshohet se eshtë nje skemë mashtruese piramidale.
Agjentët e policisë kanë shkuar për verifikim në lokalin në fjalë, ku kanë kontaktuar me punonjësin (kamarier) të identifikuar si Emanuel Taullau. Ky i fundit, i përfshirë në aktivisht në platformën EULEXT, fton agjentët për më tepër që të bëhen edhe ata pjesë e saj. Madje, kamarieri iu ka sugjeruar atyre se mund t’i ndihmojë edhe pronari i lokalit i cili njihej me pseundonim “profesori”.
Nga biseda me kamarierin, agjentët e policisë bëjnë me dije se për t’u bërë pjesë e platformës bëhet fjalë për një shumë prej 1000 dollar (një mijë dollarë). Gjithashtu ky shtetas ju ka treguar se mund ti gjenin dhe ne disa grupe ne rrjetin social Telegram. Gjate bisedës kamarieri ju ka treguar se në zonën e Divjakës, ku theksoi se ishte qendra e platformës kishte një pjesëmarje të madhe individësh. Ditën tjetër, agjentët kanë shkuar sërish në këtë lokal, të pajisur me teknikë për regjistrimin audio dhe video të veprimit simulues. Kësaj herë, kamarieri Emanuel Taullau i prezantoi ata me punonjësit tjetër, Flavio Mukaj, dhe të dy në bashkëpunim me njëri-tjetrin regjistruan agjentët në platformë.
Gjithashtu nga verifikimet e kryera në qytetin e Divjakës, dyshohet se shtetasi Ereledio Shebeku, nëpërmjet aplikacionit “Telegram”, ka të instaluar një platformë për tregëtimin e kriptomonedhave, e cila mban emrin “XUEX”. Në këtë faqe online ky shtetas ka hapur një grup me pesë persona, ku secili prej tyre investon vlera monetare në shumat që variojnë nga 1.000 deri në 5.000 dollarë. Shtetasi Ereledio Shebeku nëpërmjet këtij aplikacioni merr mesazhe nga një person që është identifikuar si “Leo Smith”, i cili dyshohet se është shtetas britanik, ku i fton të gjithë pjesëmarrësit që të futen në këtë platformë në orën 14:20 dhe në orën 19:20 të çdo dite, duke i kërkuar që ti bëjnë “like” faqeve që ju dërgon ky shtetas në aplikacionin “Telegram”. Sipas informacionit shtetasi Ereledio Shebeku, ka futur në këtë platformë familjarët e tij dhe shumë persona të tjerë. Gjithashtu edhe në këtë lokal, agjentët e policisë zbarkuan sërish për të verifikuar nga afër skemën e mashtrimit.
Në vazhdimësi të veprimeve, Gjykata e Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Fier, ka dhënë vendimin për kontrollin personal, të banesës dhe lokalit të shtetasit Arbër Cela, i cili është pronari i bar restorantit “La Bonta” në Lushnjë, ku ishte reklamuar platforma “Xuex”. Për këtë arsye u ushtrua kontroll personal i këtj shtetasi dhe ju gjetën një aparat celular, i cili u sekuestrua në cilësinë e provës materiale. Nga kontrolli i telefonit, u verfikuan transaksioni në emër të këtij shtetasi. Në vazhdimësi u krye kontroll në banesën e këtij shtetasi, ku rezultoi se u gjetën një sasi vlerash monetare.
Operacioni është shtrirë konkretisht në Dibër, Fier, Lushnjë, Divjakë Tiranë e Gramsh, qytete me numrin më të lartë të përdoruesve. Paraprakisht bëhet me dije se nga aksioni i zhvilluar janë arrestuar 6 persona, Arbër Çela 38, Emanuel Taullau 21 vjeç, Flavio Mukaj 23 vjeç, Marius Kodra 28 vjeç, Brunilda Todi 38 vjeçe dhe Brunilda Ndini 38 vjeçe. Ndërkohë dy të jerë janë shpallur në kërkim.
Disa javë më parë, një denoncim i mbërritur në redaksinë e ZËRI na vuri nën alert për një skemë e cila sipas denoncuesit anonim ishte duke zhvatur qytetarët shqiptarë. Situata u bë alarmante pasi qytetarët të cilët kanë investuar lekë, kërkojnë të tërheqin shumën që kanë hedhur ose ato që kanë fituar, por nuk kanë arritur ti marrin mbrapsht. Në skemë janë një rrjet i gjerë i pikave të këmbimit valutor që bëjnë kthimin e parave nga dollarë fizikë në një portofol dixhital me ‘ustd’. Pasi portofoli virtual i fermerit mbushet me monedhat virtuale ai është i lirë të investojë.
Dy platformat TXEX dhe XEUX paraqiten si aplikacione investimi në kriptovaluta dhe shpërndahen në disa rrjete sociale, ku më kryesori është në Telegram. Numri i qytetarëve që kanë shkarkuar këtë platformë dhe kanë investuar para raportohet të jetë gati 6 mijë. ZËRI u interesua nga afër ku banorët e Divjakës treguan me detaje se si investojnë lekët dhe rrugën që ndjekin nga regjistrimi në platformë deri tek mënyra si i tërheqin lekët. Ndërkohë, organizatorët e këtij aktiviteti kriminal vijojnë të jenë nën hetim nga policia shqiptare dhe asnjë prej tyre nuk është arrestuar.



