arber-abazi-balluku

Pas Shkëlqim Fushës, kreu i Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, Jonaid Myzyri, ka përdorur të njëjtën skemë të skualifikimit të ofertave më të ulëta për t’i dhënë një tjetër tender miliona eurosh biznesmenit Arbër Abazi. Bëhet fjalë për procedurën e prokurimit me objekt “Loti 1: Shërbimi i pastrimit të zonës bregdetare për Bashkitë Shkodër, Lezhë, Durrës, Kavajë, Pogradec”, me një vlerë të konsiderueshme prej 1 miliard lekësh, ose 1.1 milion euro.

ok.PNG

Për këtë tender kishin shfaqur interes tre operatorë ekonomikë, ku bashkimi i kompanive “GREEN RECYCLING”, “Pastrime Silvio”, “RADA OIL INDUSTRY” dhe “Unieuro sh.p.k” kishte paraqitur një ofertë dukshëm më të favorshme ekonomikë, plot 227 milion lekë më pak se fituesi i shpallur. Pavarësisht diferencës së madhe që do t’i kursente arkës së shtetit, OBP e ka skualifikuar këtë bashkim operatorësh, ashtu si dhe subjektin tjetër “Rej”. Fitues u shpall kompania “ALKO IMPEX CONSTRUCTION” e Arbër Abazit, me një ofertë që kap vlerën e 97.2% të fondit limit, një shifër kjo pothuajse identike me tavanin maksimal të vënë në dispozicion.

2222.PNG

Arbër Abazi nuk është një emër i panjohur për drejtësinë. Në janar të këtij viti, SPAK ushtroi kontrolle të befasishme në banesën dhe zyrat e tij, duke sekuestruar pajisje elektronike dhe dokumente në kuadër të hetimeve për korrupsion me lotet e Unazës së Madhe dhe aferën “Berberi”. Abazi dyshohet se ka dalë në përgjimet e prokurorisë për komunikime që zbardhin skemat e paracaktimit të tenderave dhe shpërndarjes së ryshfeteve në këmbim të kontratave publike.

Megjithatë, siç dëshmon ky tender i fundit i firmosur nga Myzyri, hetimet e SPAK nuk kanë shërbyer si pengesë që biznesmeni të vijojë të thithë miliona nga buxheti i shtetit.

Përtej problemeve me drejtësinë, Abazi mban peshën e lidhjeve të forta politike si nipi i ish-deputetit socialist Sadri Abazi. Emri i tij lakohet shpesh për raporte të ngushta me zv.kryeministren Belinda Balluku, duke e rreshtuar atë në rrethin e ngushtë të përfituesve të mëdhenj në infrastrukturë dhe shërbime.

Ky rast i shtohet listës së gjatë të prokurimeve të dyshimta që rrëzojnë plotësisht integritetin e Operatorit të Blerjeve të Përqendruara, duke e ktyher këtë institucion në një strukturë që sfidon dhe injoron hapur organet e drejtësisë.

Vetëm pak ditë më parë, një tjetër lot me vlerë 993 milionë lekë për pastrimin e bregdetit të Rrogozhinës, Divjakës, Fierit, Vlorës, Himarës dhe Sarandës iu dha në mënyrë të ngjashme kompanisë “Fusha” të biznesmenit Shkëlqim Fusha, duke skualifikuar sërish pa asnjë lloj hezitimi ofertat më të arsyeshme ekonomike.

Paradoksi dhe skandali më i madh në këtë mes qëndron në faktin se të tre protagonistët e këtyre procedurave, drejtori i OBP-së Jonaid Myzyri që ndan paratë, si dhe biznesmenët Arbër Abazi e Shkëlqim Fusha që i përfitojnë ato, janë zyrtarisht subjekte nën hetim nga SPAK pikërisht për çështje që kanë të bëjnë prokurimet publike.