Në vitin 1994, pranë zonës së Kinostudios në Tiranë, Altina Caco nisi jetën me bashkëshortin e saj. Me shumë sakrifica ndërtuan një vilë të vogël dhe një dyqan pa leje ndërtimi, por me një marrëveshje verbale me ish-pronaren e truallit, një grua që u dha fjalën se toka do t’u shitej. Më vonë Altina lidhi një akt-marrëveshje me ish-pronaren e truallit për pagesën e tokës dhe për hipotekimin e vilës dhe dyqanit.
Nga viti 1997 deri në vitin 2004, gjithçka dukej e qetë. Askush nuk e shqetësoi. Por pas vdekjes së ish-pronares së truallit, në vitin 2004 nisi kalvari i vërtetë, tregon Altina në emisionin “Stop”. Fëmijët e saj nuk pranuan marrëveshjen që nëna kishte bërë me Altinën dhe e çuan çështjen në gjykatë. Ata kërkuan kthimin e truallit dhe prishjen e vilës dhe dyqanit. Pas vitesh përballjeje në gjykata, Altina fitoi në dy shkallët e para. Asaj iu njoh e drejta mbi truallin dhe vilën, ndërsa për dyqanin u vendos që trualli t’u kthehej ish-pronarëve.
Altina iu drejtua Gjykatës së Lartë, por kjo e fundit në vitin 2010 rrëzoi të dy shkallët dhe ia ktheu të gjithë truallin ish-pronarëve. Vendimi u dërgua për ekzekutim nga Përmbarimi Shtetëror i Tiranës, por pikërisht në atë moment rezultoi se ish-pronarët e truallit ishin shpronësuar që në vitin 2009, një vit përpara vendimit të Gjykatës së Lartë dhe kishin përfituar 125 milionë lekë të vjetra dëmshpërblim.
Për këtë arsye, përmbaruesi Juxhin Llanaj pezulloi ekzekutimin. Po kalvari i Altinës nuk mori fund. Kadastra refuzon t’i hipotekojë vilën dhe dyqanin, edhe pse procedura e legalizimit ka nisur duke i vendosur kushtin absurd që ajo të sigurojë firmën e pëlqimit nga ish-pronarët, të cilët ligjërisht nuk janë më pronarë./STOP



