Pensioniste duke shfrytezuar rrezet e diellit dhe temperaturat e larta ne parkun ne Sheshin Skenderbej ne qender te Tiranes. Qeveria Rama ka akorduar bonusin e pranveres per pensionistet i cili ka filluar te shperndahet qe prej dites se hene, 3 Mars, 2025./r/n/r/nPensioners taking advantage of the sunshine and high temperatures in the park in Skenderbej Square in the center of Tirana. The Rama government has granted the spring bonus for pensioners, which has started to be distributed since Monday, March 3, 2025.
Sistemi i pensioneve në Shqipëri regjistron tashmë shkallën më të ulët të zëvendësimit në të gjithë hapësirën europiane, çka tregon se pensionistët po përballen me presion të dyfishte, nga rënia e të ardhurave dhe rritja e çmimeve.
Të dhënat zyrtare të Eurostat për raportin e përgjithshëm të zëvendësimit dëshmojnë një tkurrje drastike të këtij treguesi, i cili ka rënë nga 0.43 në vitin 2019 në vetëm 0.30 në vitin 2023.
Kjo shifër alarmante tregon se pensioni mesatar bruto në vend përfaqëson tashmë vetëm 30% të pagës mesatare të grupit moshor aktiv 50-59 vjeç, duke thelluar hendekun mes të ardhurave të pensionistëve dhe ritmit më të shpejtë të rritjes së pagave në vendin tonë (të dhënat për Shqipërinë i takojnë vitit 2023, për Europën 2025).
Ky nivel e pozicionon Shqipërinë jo vetëm në fund të Ballkanit Perëndimor, por edhe në skajin më të ulët krahasuar me të gjitha shtetet e Bashkimit Europian, ku mesatarja e bllokut është e qëndrueshme, në rreth 0.57 – 0.60 e pagës mesatare.
Për më tepër, vendet e rajonit regjistrojnë tregues dukshëm më të lartë, ku Serbia ka një raport 0.48, Mali i Zi dhe Maqedonia e Veriut ruajnë nivele më të favorshme, ndërsa vende si Greqia, Italia apo Spanja arrijnë vlera nga 0.75 deri në 0.78.
Kjo rënie e paprecedentë në Shqipëri është pasojë direkte e disa faktorëve strukturorë që minojnë skemën e detyrueshme të sigurimeve shoqërore.
Së pari, informaliteti i lartë në tregun e punës dhe deklarimi i pagave pjesërisht nën dorë gjatë viteve të punës reduktojnë ndjeshëm bazën e kontributeve dhe madhësinë e pensionit.
Së dyti, skema shqiptare vuan nga ngurtësia e formulës së indeksimit, e cila nuk ka arritur kurrë të përshtatet me rritjen nominale të pagave në sektorin privat.
Nga ana tjetër, raporti i pafavorshëm i varësisë demografike, i cili po përkeqësohet vazhdimisht për shkak të emigracionit të popullsisë së re dhe plakjes së shpejtë të shoqërisë, ushtron presion mbi financat e skemës publike.
Dështimi i qeverisë për të mbrojtur të moshuarit është pasojë e drejtpërdrejtë e nënvlerësimit të politikave qeveritare ndaj kësaj shtrese.
Formula aktuale e indeksimit, e cila bazohet kryesisht te rritja e çmimeve të shportës (inflacioni) dhe jo te rritja e pagave në ekonomike, ka ndikuar në rritjen e hendekut ndërmjet pagave dhe pensioneve.
Ndërkohë që qeveria ka ndërmarrë politika për rritjen e pagave minimale dhe mesatare në sektorin publik, skema e pensioneve është lënë në hije përmes rritjeve simbolike, duke bërë që pensionistët të mos përfitojnë asgjë nga rritja e përgjithshme e produktivitetit dhe pasurisë kombëtare.
Në vendet e Bashkimit Europian apo edhe të rajonit qeveritë ndërhyjnë rregullisht me skema shtesë të mbrojtjes sociale.
Edhe pse qeveria ka ndërmarrë disa fushata kundër informalitetit, mungesa e një mekanizmi efikas kontrolli për dekada të tëra ka lejuar që qindra mijëra punonjës të deklarohen me pagë minimale ndërkohë që pjesa tjetër paguhet nën dorë.
Mungesa e vullnetit politik për të ndëshkuar rreptësisht këtë fenomen po bën që pensionet e reja vit pas viti t dalin me të ulëta në vlerë, ndërkohë që e kundërta duhet të ndodhte.
Gjithashtu qeveria ka dështuar të krijojë një mjedis të besueshëm dhe nxitës fiskal për zhvillimin e fondeve private të pensioneve.
Mungesa e reformave inkurajuese për kursimin individual të detyrueshëm apo vullnetar ka lënë të gjithë barrën e sigurimit të jetesës vetëm mbi skemën publike, e cila tani po shembet nën peshën e saj. /Monitor




