Kuvendi i ka kërkuar Entit Rregullator të Ujit që të nxisë shoqëritë e ujësjellës-kanalizimeve të aplikojnë tarifa në blloqe, të njohura ndryshe si tarifim me fasha.
Kjo do të thotë që çmimi i ujit të mos jetë i njëjtë për çdo metër kub të konsumuar.
Skema parashikon që konsumi bazë të faturohet me një çmim më të ulët, ndërsa konsumi mbi një nivel të caktuar të paguhet më shtrenjtë.
Për shembull, nëse fasha e parë vendoset deri në 10 metër kub në muaj, një familje që konsumon brenda këtij niveli paguan me çmimin bazë.
Nëse e kalon këtë sasi, pjesa mbi 10 metër kub faturohet me çmim më të lartë.
Në një skemë të tillë, mund të ketë edhe një fashë të tretë, ku konsumi shumë i lartë paguhet akoma më shtrenjtë.
Pra, logjika është: sa më shumë ujë konsumon, aq më shtrenjtë paguan për sasinë shtesë.
E njëjta mënyrë tarifimi mund të aplikohet edhe për bizneset, ku konsumi zakonisht është më i lartë se ai familjar.
Synimi është që familjet dhe bizneset të nxiten të kursejnë ujin dhe të shmangin shpërdorimin.
Kjo skemë kërkon që konsumatorët të kenë matës uji, pasi faturimi duhet të bëhet mbi konsumin real.
Për këtë arsye, në rezolutën për vitin 2026 kërkohet edhe ulja e faturimit aforfe për ata që nuk kanë matës. /skyweb.al



