Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, shprehet e shqetësuar për atë që e cilëson normalizim të gjuhës së urrejtjes dhe klimës së linçimit publik.
Sipas saj, mjafton publikimi i një videoje apo fotografie që në rrjetet sociale të shpërthejnë fyerje dhe komente negative, të cilat, ajo thotë se organizohen nga persona që synojnë të përhapin urrejtje.
“Është e papranueshme që gjuha e urrejtjes po bëhet gjithnjë e më normale. Mjafton një video apo një foto dhe menjëherë shpërthejnë sharjet, fyerjet dhe komentet negative nga njerëz që nuk dinë të bëjnë asgjë tjetër veçse të sulmojnë e të përhapin urrejtje, sepse kështu u kërkohet nga ata që i drejtojnë,” shkruan Çaushi.
Më tej, ajo ndalet edhe te komentet negative ndaj bizneseve, duke theksuar se ato dëmtojnë jo vetëm pronarët, por edhe punonjësit dhe ekonominë e vendit.
“Së fundmi është krijuar një klimë linçimi publik, ku bizneset goditen me komente të organizuara dhe u dëmtohet reputacioni.
Kur sulmohet një biznes, nuk dëmtohet vetëm pronari, por edhe njerëzit që punojnë aty, familjet e tyre dhe ekonomia shqiptare. Por ju nuk e kuptoni këtë, sepse nuk mendoni për Shqipërinë dhe shqiptarët, por vetëm për interesat tuaja personale,” u shpreh ajo.
Çaushi kritikoi gjithashtu sulmet verbale ndaj qytetarëve që zgjedhin të mos marrin pjesë në protesta, duke theksuar se liria e zgjedhjes duhet të respektohet.
“Qytetarët shahen dhe ofendohen vetëm sepse nuk zgjedhin t’i bashkohen një proteste. Nuk mund t’i mohohet askujt e drejta për të pirë një kafe, për të kaluar në bulevard apo për të bërë jetën e tij të përditshme vetëm sepse nuk mendon si ju,” deklaroi deputetja.
Në përfundim të shkrimit të saj, ajo ka një mesazh edhe për protestuesit, e cila u’a bën të qartë se s’mund të jenë kurrë Shqipëria e re që duan të sjellin.
“Protesta është një e drejtë dhe duhet respektuar. Por po aq duhet respektuar edhe e drejta e çdo qytetari për të zgjedhur vetë, për të lëvizur i lirë dhe për të jetuar pa presion apo intimidim.
Shqipëria e re nuk ndërtohet me gjuhë urrejtjeje, me linçim, me sulme ndaj bizneseve dhe me presion ‘për burg’ ndaj qytetarëve. Ju nuk mund të jeni kurrë Shqipëria e re që pretendoni të sillni,” përfundoi Çaushi.



