IMG_2105

Policia e Shtetit ka zgjeruar hetimet për fushatën e dyshuar të vlerësimeve negative në platformën Google, ndërsa numri i bizneseve që kanë paraqitur denoncim ka arritur në 15.

Krimi Kibernetik po vijon verifikimet, ndërsa deri më tani janë identifikuar mbi 200 persona që dyshohet se kanë përdorur llogaritë e tyre në rrjetet sociale dhe në Google për të publikuar ose shpërndarë komente dhe vlerësime negative ndaj bizneseve.

Hetuesit po verifikojnë nëse këta persona kanë vepruar në mënyrë të koordinuar dhe nëse veprimet e tyre përmbajnë elementë të veprave penale. Sipas burimeve, në fokus të hetimit janë disa vepra të mundshme penale, mes tyre “manipulimi i tregut”, “manipulimi i çmimeve”, “përhapja e informacioneve të rreme”, “shpifja” dhe “falsifikimi kompjuterik”.

Qëllimi i hetimeve është identifikimi i personave që dyshohet se kanë organizuar ose koordinuar fushatën e vlerësimeve negative, e cila sipas denoncimeve mund t’u ketë shkaktuar bizneseve dëme të konsiderueshme në imazh dhe aktivitetin e tyre ekonomik.