IMG_2106

Alban Dokushi është rikthyer zyrtarisht në detyrën e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës, pasi Gjykata Administrative e Apelit la në fuqi vendimin e Shkallës së Parë, që e kishte cilësuar të paligjshëm shkarkimin e tij. Pas këtij vendimi, kryebashkiaku Erion Veliaj ka firmosur nga paraburgimi emërimin e Dokushit në të njëjtin post, duke rikthyer në krye të administratës një nga bashkëpunëtorët e tij më të afërt.

Dokushi ishte shkarkuar në mars 2025 nga kryetarja e komanduar e Bashkisë, Anuela Ristani, në kulmin e përplasjeve për drejtimin e institucionit pas arrestimit të Veliajt. Në atë periudhë, në media u raportua gjerësisht se vendimi lidhej me përplasjen mes Erion Veliajt dhe kryeministrit Edi Rama për kontrollin e Bashkisë së Tiranës, madje disa media e interpretuan shkarkimin si zbatim të një urdhri politik. Megjithatë, ky pretendim nuk është konfirmuar zyrtarisht.

Si Gjykata Administrative e Shkallës së Parë, ashtu edhe Gjykata Administrative e Apelit arritën në përfundimin se shkarkimi ishte në kundërshtim me ligjin, duke i hapur rrugën rikthimit të tij në detyrë. Me firmën e Veliajt nga burgu, Alban Dokushi rikthehet përfundimisht në postin e Sekretarit të Përgjithshëm të Bashkisë së Tiranës.