Partia Socialiste ka mbledhur paraditen e sotme grupin parlamentar, në ambientet e Kryesisë së Kuvendit, ku i pranishëm ishte dhe vetë kryeministri Edi Rama. Mbledhja u drejtua nga Taulant Balla, i cili u emërua dhe kryetar i grupit, ndërsa në fokus të diskutimeve ishin dhe ndryshimet që socialistët kërkojnë të bëjnë në rregulloren e Kuvendit, si dhe në përbërjen e komisioneve parlamentare.
Socialistët kanë caktuar dhe 7 drejtuesit e komisioneve të përhershme parlamentare, dhe 2 komisioneve të posaçme ku shihet se Rama iu ka besuar emrave të rëndësishëm që më herët kanë mbajtur dhe poste ministrore.
Ulsi Manja do të drejtojë Komisionin e Ligjeve dhe Administratën Publike
Igli Hasani, Komisionin e Politikës së Jashtme
Blendi Klosi, Komisionin parlamentare për Bujqësinë, Ushqimin dhe Zhvillimin Rural
Milva Ekonomi, Komisionin e Ekonomisë
Bledi Çuçi, Komisionin e Sigurisë
Anila Denaj, Komisionin parlamentar për Burimet Natyrore, Infrastrukturën dhe Zhvillimin e Qendrueshëm
Damiani Gjiknuri, Komisionin e posaçëm për reformën zgjedhore
Fatmir Xhafaj, Nismat qytetare, Bashkëpunimin dhe Mbikëqyrjen institucionale
Arbjan Mazniku, Reforma Territoriale
Ndërkohë që socialistët kanë zgjedhur dhe emrat e nënkryetarëve, për Komisionet që do të drejtohen nga opozita.
Eduard Shalsi – Nënkryetar i Komisionit për Shëndetësinë dhe Mirëqenien Sociale
Iris Luarasi – Nënkryetare e Komisionit për të Drejtat e Njeriut dhe Mjetet e Informimit Publik
Evis Kushi – Nënkryetare e Komisionit për Edukimin, Shkencën dhe Sportin
Erjon Malaj – Nënkryetar i Komisionit për Kulturën, Turizmin dhe Diasporën
Ndërsa socialistët kanë tashmë emrat e tyre, opozita e cila do të drejtojë 4 komisione parlamentare, nuk ka paraqitur ende kandidaturat e saj, ndërsa nuk dihet nëse do të bojkotojë këto komisione, sa kohë që nuk ishte dakord me reformimin e tyre.
PS ka këtë sesion parlamentare 83 deputetë, duke i dhënë mundësi të qeverisin të pashqetësuar. Në Asamblenë Kombëtare të PS-së që u mbajt javën e kaluar, Rama njoftoi se në këtë legjislaturë do të kërkohet një reformim i vetë Kuvendit, duke nisur nga ulja e numrit të deputetëve, te ndryshimi i komisioneve parlamentare.
Ndërkohë që kjo javë pritet të jetë e ngjeshur për zhvillimet në Kuvend, me opozitën që e quan një narkoparlament, megjithatë bojkoti i seancave deri tani nuk është një opsion. Kreu i ri i Kuvendit, Niko Peleshi, do të mbledhë sot kryetarët e grupeve parlamentare, ku do t’u kërkojë emrat për përbërjen e kryesive dhe anëtarësisë e komisioneve dhe përbërjen e organeve të tjera si Byroja apo delegacionet. 7 prej tyre komisioneve do të drejtohen nga mazhoranca dhe 4 prej tyre nga opozita.
Ndërkohë, nesër (16 shtator) është parashikuar një seancë plenare për votimin e anëtarësisë së komisioneve, gjithshtu do të shqyrtohen me procedurë të përshpejtuar ndryshimet në Rregulloren e Kuvendit, përfshirë dhe skemën e re të komisioneve parlamentare.
Me nisjen e Kuvendit, brenda 10 ditësh, Edi Rama duhet të paraqesë në Kuvend programin qeverisës dhe kabinetin e ri, që kalojnë për miratim me 71 vota. Pas votimit në Kuvend, qeveria bën betimin përpara Presidentit të Republikës.



