ok

Partia Demokratike dhe aleatët e saj, të cilët arritën që të siguronin vetëm 50 mandate deputetësh në zgjedhjet e 11 Majit, pritet që të paraqiten në Kuvend me 3 grupe parlamentare, për të maksimalizuar kohën që kanë në dispozicion për të folur përgjatë seancave. Grupi kryesor i Partisë Demokratike do të drejtohet nga Gazment Bardhi, i cili konfirmohet në këtë post nga Berisha, ndërsa dy grupet e tjera do ti përkasin Partisë së Lirisë dhe Aleatëve. Të dy grupet do të plotësohen fiktivisht me deputetë të radhëve të Partisë Demokratike.

Por ndërsa socialistët zgjodhën sot dhe kryetarët e grupeve parlamentare që i përkasin mazhorancës, opozita ka qenë skeptike në lidhje me emrat por edhe qëndrimit që do të mbajë në tërësi ndaj jetës parlamentare. Jozyrtarisht mësohet se në radhët e PD-së nuk kanë munguar përplasjet, këtë herë për emrin e kreut të Komisionit Parlamentar të Shëndetësisë që do të drejtohet nga opozita. Për këtë pozicion janë në garë dy deputetë, Bardh Spahia, i cili është rikthyer në Kuvend pas drejtimit të Bashkisë së Shkodrës, si dhe Albana Vokshi. Kjo e fundit ka refuzuar pozicionin e propozuar nga Berisha për të qenë nënkryetare e grupit parlamentar.

Nga 50 deputetë të zgjedhur nga opozita, vetëm 14 prej tyre ulen për herë të parë në Kuvend, ndërsa pjesa tjetër janë figura të konsoliduara, veçanërisht për lidhjen e afërt me Berishën përgjatë viteve të vështira në opozitë.