-640-0-ibrahimaj-1688118793

Ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit Delina Ibrahimaj, në një konferencë për mediat foli mbi zhvillimet e pritshme në sektorin ekonomik përgjatë këtij viti. Ibrahimaj rikujtoi se paga minimale do të rritet vitin e ardhshëm, në 50 mijë lekë dhe se të gjithë punonjësit e rinj, do të kenë tatim zero për 18 muajt e parë të punës.

“Ndërkohë, që paga bruto është në nivelin e 83, 906 lekë ose e rritur në 11.4% në krahasim me tremujorin e dytë të vitit 2024. Ne presim që dinamikat e tregut të punës të vijojnë të rriten në vitet në vijim, siç kemi paraqitur në programin tonë të qeverisjes, paga minimale do të rritet duke filluar nga viti 2026. Sot është në nivelin 40 mijë lekë, do të shkojë në nivelin 50 mijë lekë, duke garantuar një peshë më të ulët të kësaj rritjeje të shpenzimeve për bizneset shqiptare, pasi ne kemi marrë vendimin që për 18 muajit e parë, kostot për biznesin sa i përket taksave dhe kontributëve, nuk do të rriten për këtë periudhë 18 mujore”, tha Ibrahimaj.

Sipas saj, shifrat tregojnë se ka një rritje konsumi, si rezultat i rritjes së pagave dhe investimeve. Teksa u ndal tek eksportet, ministrja që mbulon dhe inovacionin, tha se në këtë treg një rol kyç ka edhe sektori i teknologjisë.

“I ndikuar kryesisht nga zhvillimet në nënsektorin e teknologjisë së komunikimit, i cili prej vitesh ka drejtuar zhvillimet ekonomike, kemi pasur një ecuri pozitive edhe në nënsektorin e teknologjisë së informacionit dhe eksportet në këtë ndërtim janë rritur”, tha Ibrahimaj.

Një tregues pozitiv për performancën e ekonomisë, sipas ministres, është edhe numri i bizneseve të reja të regjistruara: 2 mijë e 200 biznese, paralelisht më një normë papunësie në rënie,

E pyetur nga gazetarët për raportin e publikuar nga Departamenti Amerikan i Shtetit ku ngre shqetësim korrupsionin dhe pengesat që hasin investitorët e huaj, ministrja e Ekonomisë dhe Inovacionit tha se me qëllim reduktimin e ekonomisë informale qeveria do të zbatojë një plan trevjeçar që synon reduktimin e përdorimit të parasë në dorë (cash), në bashkëpunim me Bankën e Shqipërisë dhe institucionet bankare të vendit.

“Ky plan përfshin një seri masash që do të zbatohen gjatë tre viteve të ardhshme me synimin për të luftuar ekonominë informale, për të rritur konkurrueshmërinë e bizneseve dhe për të përmirësuar klimën e investimeve në vend. Reduktimi i parasë “cash” është një hap i rëndësishëm drejt formalizimit të ekonomisë dhe luftës kundër korrupsionit dhe pastrimit të parave. Dalja e Shqipërisë nga lista gri nga MONEYVAL para dy vitesh ishte një arritje, por tani na nevojitet një qasje më e strukturuar dhe afatgjatë për të garantuar besimin e investitorëve dhe për të ulur kostot financiare për bizneset që operojnë me tregjet ndërkombëtare. Shqipëria gjithashtu është bërë pjesë e sistemit SEPA (Zona e Pagesave në Euro), çka pritet të sjellë ulje të mëtejshme të kostove të transaksioneve financiare”, pohoi Ibrahimaj.

Duke iu referuar çështjeve sociale, ministrja Ibrahimaj njoftoi se është miratuar norma e indeksimit të pensioneve me 2.5%, një masë që pasqyron rritjen e çmimeve për shportën e mallrave të konsumit për pensionistët dhe që tejkalon normën e inflacionit të periudhës korrik 2024 – gusht 2025.

“Ky nuk është një rritje, por një indeksim i domosdoshëm që reflekton realitetin ekonomik. Jemi në proces reformimi të sistemit të pensioneve dhe objektivi ynë për katër vitet e ardhshme është rritja e pensionit minimal dhe atij mesatar,” deklaroi ajo.

Aktualisht nga indeksimi do të përfitojnë mbi 753 mijë pensionistë dhe mbi 143 mijë përfitues nga skema të ndryshme rimbursimi. Në përfundim, Ibrahimaj nënvizoi synimin e qeverisë për të rritur pagën mesatare në 1,000 euro, si një tregues i zhvillimit të kapitalit njerëzor dhe modernizimit të ekonomisë.