IMG_0934

 

Komuniteti mjekësor shqiptar është prekur nga ndarja nga jeta e doktor Edi Tushes, një prej emrave të njohur të pediatrisë dhe neonatologjisë në vend.

Tushe vlerësohet si një nga mjekët që ka dhënë kontribut të rëndësishëm në ngritjen dhe zhvillimin e shërbimit neonatologjik në Shqipëri, ndërsa për vite me radhë ka shërbyer edhe në formimin e brezave të rinj të mjekëve si pedagog.

Lajmi për ndarjen e tij nga jeta është bërë publik nga një mik dhe koleg i afërt, i cili e ka kujtuar atë si një profesionist të jashtëzakonshëm dhe një njeri të rrallë.

“Ka ikje që të lënë pa frymë. Ka humbje që nuk pranohen dot. Nuk po qaj vetëm një koleg. Nuk po qaj vetëm një mjek të shkëlqyer. Po qaj një mik të shtrenjtë, një njeri të rrallë”, shkruan ai.

Në mesazhin prekës, kolegu i tij thekson se Dr. Tushe do të mbahet mend për qetësinë, mirësinë dhe përkushtimin ndaj fëmijëve.

Ndarja e tij nga jeta lë pas një boshllëk të madh në mjekësinë shqiptare, ndërsa kujtimi i tij do të mbetet i gjallë te kolegët, studentët dhe familjet që patën fatin ta njihnin.

Ceremonia e varrimit do të zhvillohet më 17 qershor, në orën 16:00, në Funeral Home ALBA 2000, në Rrugën e Durrësit, pranë ish-Ambasadës Jugosllave.