-1000-0-d81f6632-9347-4eb9-8a06-016ceb2d8c16-6a4e1425d5932

Fshati piktoresk i Varenna, në brigjet e Liqenit Como, ka vendosur masa të reja kundër sjelljeve të papërshtatshme të turistëve, duke ndaluar ecjen në rrugët e fshatit pa bluzë ose vetëm me rroba banje.

Sipas rregullores së re, veshje të tilla lejohen vetëm në plazhet buzë liqenit ose gjatë udhëtimeve me varkë. Kushdo që shëtit në qendër të fshatit me kraharor të zbuluar ose me rroba banje rrezikon një gjobë nga 50 deri në 200 euro.

Vendimi është pjesë e një pakete masash për të përballuar fluksin në rritje të turistëve dhe për të mbrojtur cilësinë e jetës së rreth 650 banorëve të përhershëm të Varenna-s.

Autoritetet kanë vendosur gjithashtu kufizime për grupet turistike, të cilat nuk mund të kenë më shumë se 25 persona, ndërsa guidave turistike u ndalohet përdorimi i altoparlantëve në rrugët e ngushta me kalldrëm.

Kryebashkiaku i Varenna-s, Mauro Manzoni, tha se fshati është krenar që pret çdo vit qindra mijëra vizitorë, por theksoi se mirëqenia e banorëve nuk mund të sakrifikohet për hir të turizmit masiv.

Masat janë mirëpritur edhe nga bizneset lokale. Pronarët e dyqaneve theksojnë se turistët mund të vishen si të duan në plazh, por kur hyjnë në dyqane, restorante, kisha apo shëtisin në sheshet publike duhet të respektojnë rregullat e veshjes.

Varenna nuk është destinacioni i parë italian që vendos kufizime të tilla. Më herët, edhe Sorrento vendosi gjoba për turistët që shëtisin me rroba banje në qytet, ndërsa Portofino ndaloi ndalesat e gjata për selfie në disa zona për të shmangur bllokimin e rrugëve nga turistët.