IMG_6007-768x432-1

Bizneset e kategorizuara si “i vetëpunësuar i vetëm”, pa TVSH dhe me vetëm një vendndodhje biznesi, janë ndër kategoritë që përjashtohen nga detyrimi për t’u pajisur me terminale elektronike pagesash POS/POI, sipas një udhëzuesi të siguruar nga Ekofin.al.

Po ashtu, nga ky detyrim përjashtohen edhe subjektet që ushtrojnë aktivitet në zona ku mungon infrastruktura e internetit, si dhe kategoritë e tatimpaguesve që, sipas legjislacionit në fuqi, përjashtohen nga detyrimi për lëshimin e faturës tatimore.

Për të gjitha kategoritë e tjera të biznesit, sistemi i pagesave elektronike përmes terminaleve POS/POI do të bëhet pjesë e detyrueshme e aktivitetit ekonomik, në kuadër të reformës për uljen e përdorimit të parasë cash dhe rritjen e formalizimit të ekonomisë.

Si do të funksionojë sistemi?

Terminali POS/POI është pajisja që mundëson kryerjen e pagesave me karta bankare ose instrumente të tjera elektronike të pagesës në pikën e shitjes apo të ofrimit të shërbimit. Në praktikë, klienti do të mund të kryejë pagesën me kartë, ndërsa terminali do të gjenerojë konfirmimin përkatës të pagesës, në formë elektronike ose të printuar.

Sistemi POS/POI nuk zëvendëson faturën fiskale. Ai dokumenton vetëm mënyrën e pagesës, ndërsa biznesi mbetet i detyruar të lëshojë faturën përkatëse dhe të rakordojë transaksionet e realizuara me raportet e terminalit. Kjo pritet të rrisë gjurmueshmërinë e transaksioneve dhe të reduktojë informalitetin.

Sipas ndryshimeve ligjore, deri më 31 dhjetor 2026, shumica e bizneseve që kryejnë transaksione me para në dorë do të duhet të përshtaten me sistemin e ri, ndërsa për sektorë të caktuar, si turizmi, transporti dhe institucionet publike, afatet kanë qenë më të hershme, pasi ishte lënë fundi i muajit maj.