27zjarr

Situata e zjarreve vijon të jetë problematike në disa zona të vendit.

Gjatë 24 orëve të fundit janë evidentuar 29 vatra zjarri, nga të cilat 11 vijojnë të jenë aktive, ndërsa tre të tjera janë në monitorim dhe katër janë vendosur nën kontroll.

Në Dajt të Tiranës, puna vijon mbi tunelet e Qafë-Mollës, ndërsa autoritetet thonë se nuk ka rrezik për zonat e banuara. E njëjta situatë paraqitet edhe në Priskë të Madhe.

Në Përmet, flakët vijojnë në malin e Nëmërçkës dhe malin Dhëmbel. Terreni i thyer po e bën më të vështirë ndërhyrjen, ndërsa ekipet në terren po punojnë për izolimin e vatrave. Edhe këtu nuk raportohet rrezik për banesat.

Një ndër zonat ku po zhvillohet një operacion i gjerë është Gurë-Lura në Dibër.

Ndërhyrja ka bërë të mundur kontrollin e perimetrit pranë banesave dhe shmangien e rrezikut për to. Nga ajri kanë ndërhyrë dy avionë Air Tractor.

Në Qafën e Helmes, në Bulqizë, zjarri vijon të jetë aktiv në një sipërfaqe pyjore, ndërsa operacioni po vijon me forca zjarrfikëse dhe bashkiake.

Në Troje të Mirditës, ekipet po punojnë për izolimin e flakëve. Në operacion janë përfshirë zjarrfikës, forca bashkiake, policia, vullnetarë dhe Forcat e Armatosura, të mbështetur edhe me mjete zjarrfikëse.

Në Shkodër, vatra aktive raportohen në Rrencë dhe Goraj-Budishtë. Ekipet po punojnë për izolimin dhe shuarjen e tyre. Në Goraj-Budishtë nuk raportohet rrezik për banesat dhe vatra po shkon drejt izolimit.

Ndërkohë, në Elbasan, zjarret vijojnë në Dardhë të Librazhdit dhe në Shalës të Cërrikut. Në Dardhë, sipas autoriteteve, flakët nuk paraqesin rrezik për zonat e banuara.