-640-0-106d525484987f806db4fc4d9393d92d

Ditën e djeshme, drejtori i Përgjithshëm i Shërbimit Zjarrfikës, Arben Cara, u raportua se ka dhënë dorëheqjen nga detyra e tij, në një kohë kur vendi ynë po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret që kanë përfshirë thuajse të gjithë territorin e Shqipërisë. Por duket se e vërteta qëndron ndryshe.

Në media po qarkullon një dokument, ku ministri i Brendshëm, Besfort Lamallari, të hënën, më 10 gusht, ka marrë një vendim për shfuqizimin e kompetencave të drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës. Ky urdhër shfuqizon vendimin e marrë nga Taulant Balla, kur ky i fundit drejtonte Ministrinë e Brendshme.

Po ashtu, në dokumentin e publikuar nga Skyweb.al theksohet se urdhri i Lamallarit për heqjen e kompetencave të drejtorit të Shërbimit Zjarrfikës hyn në fuqi menjëherë. Nga dokumenti nënkuptohet se Cara nuk është emëruar si drejtor i Zjarrfikësve, por thjesht ka pasur kompetencat për ushtrimin e detyrës.

Ndërsa ajo që bie në sy është se pikërisht Cara dha dorëheqjen ditën e djeshme, një ditë pas vendimit zyrtar. Mbetet për t’u sqaruar nëse tanimë ish-drejtori i Shërbimit Zjarrfikës, dha dorëheqjen dhe Lamallari mori vendimin për shfuqizimin e kompetencave të tij, apo nëse Cara u largua pas marrjes së aktit zyrtar nga ana e ministrit të Brendshëm.

Largimi nga detyra i Carës u prit me habi nga opinioni publik, pasi vendi ynë prej më shumë se 10 ditësh po përballet me një situatë të rënduar nga zjarret. Ai është parë gjatë fundjavës së shkuar duke marrë pjesë në terren në betejën me flakët që rrezikuan qytetin e Krujës. Pritet që për këtë rast të ketë edhe një reagim zyrtar.

Prapaskenat: U largua apo u shkarkua nga Lamallari, Arben Cara?