Kreu i PD, Sali Berisha ka komentuar darkën e Edi Ramës me Aleks Soros në Dhërmi. Berisha tha se Aleks Soros nuk mund ta ndihmojë më Edi Ramën.
“Është thirrur për emergjencë Aleks Soros. Po se çfarë mund t’i bëjë një kufome të pakallur, le ta shohin. Shqiptarët në mënyrë përfundimtare i kanë dhënë verdiktin Edi Ramës.
Vjeshta do të jetë vjeshta e temperaturave më të larta politike. Opozita do të jetë e tëra në misionin e saj, largimin sa më shpejt të Edi Ramës, qeverinë kujdestare për zgjedhje të lira dhe të ndershme” u shpreh Berisha.
Ai komentoi dhe përplasjet e Ramës me Beogradin.
“Qeveria është një qeveri antishqiptare në kuptimin e asaj që kur Snezhana Paunoviç shpalli gabim moskompletimin e operacionit “Patkoi” dhe të dëbimit të të gjithë shqiptarëve nga Kosova, Edi Rama e injoroi dhe heshti si fije e barit.
Përkundrazi, atij akti, një deklaratë gjenocidale, Edi Rama iu përgjigj me një koncesion, me një lëshim të cilin e ka bërë vetëm Enver Hoxha në vitin 1945: hapjen e konsullatës serbe në Shkodër pse aty janë një komunitet i respektuar prej 100-200 serbë apo malazezë, sepse ata si të ndjehen le ta thonë, kanë të drejtën e tyre të lire”, tha Berisha.
“Sigurisht që deklaratat e fundit të Vuçiçit janë deklarata destabilizuese. Por ato u dënuan edhe nga Bashkimi Evropian dhe nga Shtetet e Bashkuara. Se të kërcënosh se do përdorësh etjen si armë do të thotë se racizmi yt dhe barbaria jote shkon në nivele mitologjike. Duke harruar se jetohet në një realitet ku ka ligje ndërkombëtare, të cilat diktojnë qëndrimin ndaj ujërave, liqeneve, lumenjve.
Ujërat dhe lumenjtë në territorin e Kosovës nuk mund t’i prekë askush. Liqenet në Kosovë janë ndërtuar nga ish-Jugosllavia e Titos dhe janë brenda territorit administrativ të Kosovës. Po të jetë puna për të përdorur armë të tilla, atëherë ai që imagjinon këto është i qartë kundër paqes në rajon, ndaj dhe erdhi reagimi i djeshëm si i Bashkimit Evropian, ashtu dhe i Departamentit të Shtetit.
Me asgjë nuk mund të lajë Edi Rama shërbimet antishqiptare që i ka bërë Beogradit. Jo me etje dhe shterim uji, por duke iu shkatërruar vendet e punës, duke iu vrarë shpresën dhe votën e lirë, Edi Rama ka kryer një genocid të butë, dy herë më të madh se genocidi i kryer nga platforma e Çubriloviçit në Kosovë.
Tani, a mundet Edi Rama të purifikohet të themi, nga aktet e panumërta të tradhtisë kombëtare? Jo, me asgjë. Ai ka kryer aktet më të larta të tradhtisë kombëtare ndaj shqiptarëve në Shqipëri, ndaj shqiptarëve në Kosovë, ndaj kombit shqiptar”, shtoi Berisha.



