Ish-deputeti Ervin Salianji ka reaguar ndaj deklaratave të kreut të PD, Sali Berisha, i cili gjatë një takimi me fermerët në Kuçovë e akuzoi atë se drekonte me Ergys Agasin dhe se përdorte Suel Çelën për të kërcënuar demokratët.
Në postim në facebook, Salianji i cilësoi akuzat si të pavërteta dhe të motivuara politikisht, duke thënë se tregojnë një “gjendje të rënduar psiko-emocionale”.
“Sulmet nuk janë as të rastësishme dhe as të sinqerta. Janë shprehje e qartë e frikës nga gara dhe humbjes së privilegjeve” u shpreh ai.
Salianji gjithashtu shprehet se nuk ka qenë dhe nuk do të jetë pjesë e “pazareve me pushtetin”, ndërsa nënvizoi se ka paguar personalisht për qëndrimet e tij politike.
“Të më akuzosh për lidhje me krimin është dëshmi e një paniku të thellë politik,” deklaroi ai.
Më tej, ish-deputeti bëri thirrje për një garë të hapur dhe të ndershme brenda Partisë Demokratike, duke theksuar se demokratët kanë nevojë për përfaqësim dhe jo për përjashtime apo etiketime.



