Prej vitesh, fondet e pastrimit në Bashkinë e Durrësit janë shoqëruar me procedura të dyshuara dhe mungesë konkurrence, ku përfitues i përsëritur ka qenë biznesmeni Fatmir Kurti. Ai ka marrë rreth 1.5 miliardë lekë gjatë pesë viteve të fundit për pastrimin në Ishëm dhe Sukth, ndërkohë që banorët vijojnë të ankohen për mungesën e shërbimit dhe ndotjen në zonë.
Së fundmi, Ndërmarrja e Shërbimeve Komunale të Bashkisë Durrës hapi tenderin për pastrimin e Njësisë Administrative Sukth, me fond limit 75.8 milionë lekë pa TVSH. Procedura ishte thuajse formale: në garë ishte vetëm një operator, kompania “AFA Grup” shpk e Fatmir Kurtit. Më 18 nëntor tenderi u zhvillua, dhe më 19 nëntor u shpall fituesi me ofertë sa 99% e fondit limit.
Kontrata është trevjeçare, me të drejtë përsëritjeje çdo 12 muaj, duke e kaluar madje mandatin aktual të kryebashkiakes Emirjana Sako. Për mungesën e konkurrencës, tenderi ka marrë “Flamur të kuq” nga Open Data Albania, një sinjal i qartë risku për korrupsion. Dokumenti është firmosur nga drejtori i Komunales së Durrësit, që raporton drejtpërdrejt te Sako.
Një histori përsëritëse abuzimesh me fondet e pastrimit
“AFA Grup” shpk ka një histori të gjatë përfitimesh nga bashkia, shpesh përmes procedurave të kontestuara. Në prill 2021, në një tender për Ishmin, u skualifikuan shumica e konkurrentëve, përfshirë edhe ofertuesit me çmim më të ulët. Edhe ky tender u shënua me “Flamur të kuq” dhe u anulua më pas nga Bashkia Durrës, pasi oferta fituese të tejkalonte fondin limit me TVSH.
Pavarësisht problematikave, bashkia e rihapi procedurën në korrik 2021, këtë herë me fond limit 557 milionë lekë. Nga katër operatorë, dy dhanë dorëheqje ose nuk paraqitën dokumente, duke ia lënë fushën të lirë bashkimit të kompanive AFA Grup – Egland shpk, që u shpall fitues me 52.2 milionë lekë.
Banorët e Ishmit prej vitesh ankohen se mbeturinat nuk mblidhen dhe se shpesh detyrohen t’i djegin pranë banesave, ndërkohë që kontratat vijojnë të rinovohen.
Në qershor 2024, Bashkia Durrës njoftoi një tjetër tender për pastrimin e Sukthit me fond 20.4 milionë lekë pa TVSH, pas mbylljes së parakohshme të kontratës me kompaninë “Rej” shpk. Edhe kjo procedurë u shënua me “Flamur të kuq”, ndërsa konkurrenca ishte fiktive: “Rej” pritej të skualifikohej pasi e kishte ndërprerë kontratën, ndërsa përballë saj garonte sërish kompania e Fatmir Kurtit.
Një model i njëjtë: tendera pa konkurrencë, të njëjtët fitues, pak shërbim në terren
Pavarësisht ankesave të vazhdueshme të qytetarëve për mbeturinat, rezultati është i njëjtë: tendera me garë minimale, fitues të paracaktuar dhe kontrata shumëvjeçare që nuk përputhen me nivelin real të shërbimit.
Në maj 2024, kryebashkiakja Emirjana Sako u thirr në SPAK dhe u mor në pyetje për rreth dy orë për një hetim të hapur, pa dhënë detaje të mëtejshme. Ndërkohë, deri në një vendim të ri të Prokurorisë së Posaçme, Sako dhe drejtuesit nën varësinë e saj vijojnë të firmosin tenderë të tjerë për pastrimin, ndërsa shërbimi për qytetarët mbetet problematik. /gazetajone



